E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode i shmanget një pyetjeje të nxehtë

Share

Nga Eduard Zaloshnja

Parashikimi i rritjes ekonomike është gjëja më e rëndësishme që duhet bërë para se të nisë hartimi i një projekt-buxheti shtetëror. Kjo, sepse rritja ekonomike vihet në themel të parashikimit të të ardhurave buxhetore (sa më e lartë rritja ekonomike, aq më të mëdha të ardhurat buxhetore, kur taksat nuk ndryshohen).  Ka tre vjet që buxheti i shtetit shqiptar rishikohet me ulje në mes të vitit, sepse parashikimi i rritjes ekonomike nga qeveria  ka qenë më optimist se realiteti.

Mbrëmë në Top Story të Sokol Ballës, Ministri i Financave Bode u sfidua disa herë nga një panel gazetarësh rreth këtij optimizmi të përsëritur dhe pati një pyetje të nxehtë rreth parashikimit të rritjes ekonomike për vitin e ardhshëm, të cilës iu shmang. Pyetja ishte: Ndërkohë që konsumatorët shqiptarë kanë ulur blerjet e mallrave dhe shërbimeve gjatë këtij viti me rreth 7%, krahasuar me një vit më parë, pse parashikoni një rritje ekonomike me 4.3% për vitin që vjen? (Gazetarja që bëri këtë pyetje iu referua indeksit të shitjeve me pakicë të publikuar nga INSTAT-i http://www.instat.gov.al/graphics/doc/tabelat/TRPnew/3Mujori_II_2011/t2.xls). Përgjigja e Bodes ishte thjesht një shmangie e predhës që i  lëshoi gazetarja. Konsumi i mallrave dhe shërbimeve ndikohet kryesisht nga rritja e pagave dhe pensioneve, tha Bode.  Dhe më tej, ai shtoi se qeveria ka parashikuar rritjen e pagave dhe pensioneve. Gazetarja nuk vazhdoi ta sfidonte më Boden rreth kësaj çështje, por në qoftë se do të kishte vazhduar, mund ti kishte thënë se rritja e pagave dhe pensioneve nuk arrin të ndjekë as rritjen e inflacionit, e jo të mbulojë shtimin e blerjeve të mallrave e shërbimeve. Së dyti, ajo mund ti kishte kujtuar Bodes se është rritja e vendeve të punës faktori kryesor për rritjen e konsumit, e jo rritja e pagave (dikush që shkon nga 0 lekë rrogë në 250 mijë lekë rrogë e shton konsumin shumë më tepër sesa  një tjetër që shkon nga 250 mijë në 260 mijë) Dhe INSTAT-i raporton se numri i vendeve të punës nuk ka patur tendencë rritje gjatë dy viteve të fundit. Së treti, gazetarja mund ti kishte vënë Bodes në dukje faktin se qeveria i rriti rrogat edhe këtë vit, por konsumi ra me 7%…

*respublica.al

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›