E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Porti i Durrësit/ PD letër KE: Shkelet Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, 1.94 mld euro do sigurohet nga palë të treta të panjohura

Partia Demokratike i ka dërguar një letër komisionerit për Zgjerim dhe fqinjësi, Oliver Varhelyi dhe delegacionit të BE në Tiranë lidhur me projektin e Portit të Durrësit.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkeljed Alibeaj thotë se në letër ka informuar KE se ky projekt shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit lidhur me parimet e konkurrencës së lirë dhe mos diskriminimit, ndërsa shton se kompania është e përjashtuar nga taksat.

Alibeaj kërkon nga KE të hetojë mbi përputhshmërinë e kësaj marrëveshje me parimet dhe standardet e MSA-së dhe legjislacionit evropian.   

“Nëpërmjet kësaj letre do të doja t’ju informoja për projektin e Portit të Durrësit që në opinionin tonë shkel qartësisht pjesë dhe enën të marrëveshjes së Stabilizim Acociimit mes Shqipërisë dhe BE lidhur me parimet e konkurrencës së lirë (neni 71) dhe mosdiskriminimit (neni 74). Çdo ndihmë shtetërore – sanksionon MSA – që shtrembëron rregullat e konkurrencës, vjen në kundërshtim me këtë Marrëveshje. Qeveria shqiptare ka pranuar se asnjë garë nuk është zhvilluar lidhur me këtë projekt dhe kompania fituese ka qenë e përcaktuar prej fillimi. Projekti i Portit të Durrësit mund të jetë një rast unik në botë ku shteti ofron 818 mijë metra katrorë pronë publike, si dhe përjashtime nga taksat, me një vlerë totale 730 milionë euro, për të marrë mbrapsht vetëm 280 milionë. Vështirë ta thuash se ku qëndron leverdia ekonomike e shtetit shqiptar në këtë projekt. Me anë të kësaj letre kërkojmë nga Komisioni Evropian dhe Delegacioni i BE-së të ndjekin më vëmendje këtë rast dhe në përputhje me procedurat e tyre të hetojnë mbi përputhshmërinë e kësaj marrëveshje me parimet dhe standardet e MSA-së dhe legjislacionit evropian”, thuhet në letër.

Gjithashtu në letrën e Alibeajt thuhet se në një investim 2.1 miliardë euro, investitori ofron 160 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 1.94 miliardë Euro do të sigurohet nga palë të treta të panjohura.

“Nga ana tjetër investitori ka marrë përsipër të realizojë një investim 2.1 miliardë euro, në një kohë që ai ofron vetëm 160 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 1.94 miliardë Euro do të sigurohet nga palë të treta të panjohura. Shtuar këtu faktin që kompania mëmë është e regjistruar në Ishujt Kajman, çka krijon qartazi një rrezik të lartë për pastrim parash. Duke vepruar kështu qeveria shqiptare jo vetëm ka shkelur rëndë parimin e konkurrencës së lirë, por ka diskriminuar çdo kompani shqiptare dhe europiane që mund të ishte e interesuar për t’u përfshirë në këtë projekt”, shkruhet në letër.

Letra e PD drejtuar KE

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›