E Diel, 1 Nëntor 2026

Porti i Durrësit, mbi 924 mijë tonë mallra u përpunuan në tre muajt e parë të vitit

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Tremujori i parë i vitit 2026 ka shënuar një ecuri pozitive për Portin e Durrësit, duke reflektuar zhvillim të qëndrueshëm në sektorin logjistik dhe rritje të shkëmbimeve tregtare me partnerët ndërkombëtarë. Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur se në total gjatë muajve janar-mars janë përpunuar 924.319 tonë mallra, ose 4,74% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2025. Eksportet kanë njohur po ashtu një rritje të ndjeshme, duke arritur në 308.259 tonë ose 42,41% më shumë, të ndikuara kryesisht nga zgjerimi i volumit të mallrave me kontejnerë. Ndërkohë, eksportet me tragete kanë pësuar një rënie të lehtë në masën 5,8%, ndërsa ato me anije kanë vijuar të reflektojnë qëndrueshmëri. Në anën tjetër, importet kanë arritur në 616.060 tonë, me një rënie prej 7,5%. Kjo lidhet kryesisht me uljen e importeve përmes anijeve, ndërkohë që hyrjet e mallrave me kontejnerë kanë vijuar rritjen deri në 22,52%. Sipas APD-së sektori i kontejnerëve vijon të performojë fuqishëm, me një rritje prej 36% të volumit të përpunimit, ku gjatë këtyre tre muajve të parë të vitit janë trajtuar 59.336 TEU. Muaji mars kryeson me një rritje prej 51% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit që lamë pas. Në tërësi, këto rezultate konfirmojnë rritjen e eksporteve dhe forcimin e rolit të transportit të kontejnerëve, duke e konsoliduar Durrësin si një nyjë kyçe logjistike në rajon. /k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›