Raboshta: Luftëtari, kampion i padiskutueshëm
Sulmuesi shkodran thekson se ekipi është i ndërtuar për të qenë fitues, por duhet luftuar euforia dhe duhet ruajtur përqendrimi
Futbolli, loja që ka pushtuar planetin tonë, përbëhet nga shumë elemente teknike e taktike, por edhe të efekteve psikologjike, që në tërësi janë të panumërta, ku veçohet goli dhe autogoli. Këto sjellin edhe shpërthimet më tronditëse dhe përcaktojnë rezultatin. Në miqësoren me Bylisin, kapiteni i pagabueshëm i Luftëtarit, Bledar Devolli, mamuthi i fundit i futbollit gjirokastrit, shkaktoi një autogol, që vulosi barazimin 1-1, pas golit të Raboshtës.
Autogoli, si edhe kartonët, dëmtimet e të tjera, janë pjesë e lojës, por duhen minimizuar për ecurinë e çdo ekipi, pra edhe të Luftëtarit, ndërkohë që janë të paevitueshme jo vetëm në miqësore, siç ndodhi së fundi, kur nuk munguan që të gjitha në ndeshjen në fjalë (gol, autogol, kartonë të verdhë, karton i kuq dhe dëmtime).
Kur ndodhin në miqësore, do të thotë se në ndeshjet zyrtare duhet të jenë më të pakta, në sajë të rikujtimit të dëmit që sjellin, me përjashtim të golit, që bën të kundërtën. Luftëtari pret Himarën dhe gjithë gjasat janë që të arrihet fitorja e 13-të në këtë kampionat.
Raboshta Jasmin Raboshta, sulmuesi shkodran dhe golashënuesi i dytë i Luftëtarit, me 6 gola, realizoi golin e vetëm në miqësoren me ballshiotët. Për ndeshjen me Himarën dhe më gjerë ai shprehet: Luftëtari, në miqësoren me Bylisin e superiores, për rreth 1 orë nuk ishte inferior, përkundrazi, luajti shumë mirë.
Kjo tregon se ekipi ynë ka potenciale dhe është në gjendje të kapërcejë me sukses çdo kundërshtar. Patjetër që ekip ideal nuk ekziston edhe në kuptimin relativ, por praktikisht ekipi ynë është ndërtuar që të shpallet kampion i kategorisë së parë. Do të jetë shpërblimi më i mirë, që do tu bëjmë investimeve të bashkisë e donatoëve, si dhe do tu japim kënaqësinë e duhur drejtuesve, vetes dhe veçanërisht tifozëve gjirokastritë e simpatizantëve të Luftëtarit kudo që ndodhen.
Një dyzinë fitoresh deri tani nuk janë pak nga 15 të mundëshmet. Edhe këtë të shtunë, kur do të presim Himarën, me siguri do të realizojmë fitoren e radhës. Nuk jemi mendjemëdhenj dhe as fodullë, por është pkërisht raporti i thellë i forcave në favorin e Luftëtarit që na lejon të themi se do ta arrijmë suksesin. Këtë do ta realizojmë nëpërmjet angazhimit në fushë, duke luftuar së pari euforinë.
Le të jetë në fund të renditjes Himara, ajo do të mundohet të rezistojë, sepse nuk do të vijë në Gjirokastër me flamur të bardhë. Ne jemi të ndërgjegjshëm se të gjithë ekipet që do të ndeshen me ne do të krenohen pikërisht me faktin se na kanë krijuar sa më shumë vështirësi, aq më tepër po të na marrin pikë, ndaj në çdo ndeshje duhet të jemi sa më të përqenduar, duke nisur që me Himarën.
