E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portret, Margaret Thatcher

LONDËR - Ish-kryeministrja konservatore, Margaret Thatcher, që vdiq sot në moshën 87-vjeçare, do të mbetet përgjithmonë ''Gruaja e Hekurt'' që rimodeloi Britaninë e Madhe me një liberalizëm ekonomik absolut dhe vendosi prestigjin ndërkombëtar të vendit.

Vështrimi i saj blu i akullt simbolizonte një forcë karakteri të pakrahasueshme. Personaliteti i saj nuk i përshtatej askujt tjetër më mirë sesa vetë asaj, kur ajo thoshte se "Unë jam për konsensusin. Konsensusin për atë që dua të bëj".

Ky refuzim i jashtëzakonshëm i kompromisit, në shërbim të principeve thelësisht të qëndrueshme, konformizmit social, liberalizmit ekonomik, idesë së dimensionit për vendin e saj, nuk është lëkundur kurrë gjatë 11 viteve në detyrë (1979-1990).

Këto bindje lindën sigurisht nga edukimi strikt i dhënë nga një baba metodist vajzës së re, Margaret Hilda Roberts, lindur më 13 tetor 1925, në Grantham.

Arsimuar për avokati, pas martesës në vitin 1951, ajo iu bashkua konservatorëve, në vitet 1959 në Dhomën e Komuneve si deputete e Finchleyt, në veri të Londrës dhe më pas nga viti 1970 dhe 1974 si ministre e Arsimit.

Në vitin 1975, ajo merr kryesimin e konservatorëve dhe katër vjet më pas mund laburistët.

Ajo bëhet gruaja e parë kryeministre në vend duke u vendosur në ''10 Downing Street'' deri më 22 nëntor 1990, një jetëgjatësi rekord në shekullin e 20-të.

Një fjalë e re, "thatcherisëm" është bërë shumë e populluar. Për të rimëkëmbur një ekonomi që e ktheu vendin ''në të sëmurin e Evropës'', ajo privatizoi gjithçka, uli taksat dhe shpenzimet publike dhe reduktoi sindikatat. Por pragu prej tre milionë të papunë vazhdonte të ishte një problem, ndërkohë që greva e minatorëve në fillim të viteve 1980 përplaset me ashpërsinë e saj.

Ajo kërkoi të rivendoste prestigjin e ish-Perandorisë dhe kontribuoi për rifitimin e ishujve Malouines në vitin 1982. Mike e Ronald Reagan dhe Mikhaïl Gorbatçov, ajo do të luante gjithashtu një rol të rëndësishëm në përfundim të Luftës së Ftohtë.

Por karakteri i saj i hekurt u kthye kundër saj. Hedhja poshtë e "poll tax", kjo taksë lokale që ajo nuk arriti ta vendoste, sinjalizon dhe fundin e saj. Kundërshtuar në radhët e partisë së saj, ajo jep dorëheqjen me lot në sy në muajin nëntor 1990.
Baronesha Thatcher vendoset në lagjen londineze të Belgravias për të shkruar kujtimet e saj dhe për t'u tërhequr përfundimisht nga skena politike në vitin 2002 për arsye shëndetësore.

Në muajin qershor 2003, vdekja e bashkëshortit të saj Denis e prek thellësisht dhe më pas mosmarrëveshjet gjyqësore të djalit të saj, Mark.

Në muajin dhjetor 2005, më pak se dy muaj pasi festoi 80-vjetorin në një hotel të madh në Londër, me pjesëmarrjen e mbretëreshës Elizabeth II, ajo u shtrua në spital pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Vajza e saj, Carol Thatcher do të zbulonte në vitin 2008, se nëna e saj vuante nga skleroza duke harruar shpeshherë se bashkëshorti i saj kishte vdekur.

Që prej asaj kohe, ajo ka qendruar e mënjanuar, duke mos marrë pjesë në pritjen e organizuar në Downing Street nga kryeministri, David Cameron me rastin e 85-vjetorit të saj në vitin 2010 apo festimet e Jubileut të mbretëreshës Elizabeth II në vitin 2012, gjithashtu dhe në Lojërat Olimpike të Londrës.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›