E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portret heroi apo krimineli?

AGRON TUFA

Askush nuk është (dhe nuk duhet) të jetë i dyzuar, kur bie fjala për diktatorin e fundit komunist, Ramiz Alinë. Një njeriu që ka fituar qoftë edhe një grimë ndërgjegje nën dritën e fakteve, dokumenteve, përvojës direkte nga përditshmëria komuniste apo argumenteve nuk i lejohet, sidomos dyzimi mbi domethënien thellësisht negative që ka luajtur Ramiz Alia në fatin tragjik të shqiptarëve përgjatë gjysmë shekulli. Si figura e dytë përgjegjëse e diktaturës, në të gjitha miratimet, aktet dhe vendimet e marra të diktatorit, Ramiz Alia ka qenë ai që ka ngritur gjithmonë dorën lart. Dhe këtë e ka filluar që nga çarmatosja e mandej masakra e 4900 partizanëve kosovarë në prill 1945, që nisi me itinerarin e tyre nëpër Shqipërinë e Veriut dhe sosi me kasaphanën e Tivarit, për të përfunduar me urdhrin e dhënë më 20 shkurt të vitit 1991, që të qëllohej mbi turmën e demonstruesve, mandej, në vazhdim, deri tek një prill tjetër i vitit 1992, që përmbyll kompozicionin unazë të krimeve të tij kur u qëlluan në Shkodër Arben Broci me shokë. Është një udhë e pandërprerë gjaku, vuajtjesh, torturash, lotësh, persekutimi klasor e gjenocidi ekonomik, nëpër të cilën ka shkelur figura e dytë e diktaturës komuniste, për të përfunduar si frikacak, zemërdobët, gënjeshtar e falsifikator në vitet kur Alia kishte pushtetin absolut në hierarkinë e udhëheqjes komuniste. Edhe vetë zakoni njerëzor, sipas të cilit për të vdekurit nuk flitet keq, nën zellin dhe ngutin e disa ramizistëve të rinj këto ditë, më duket i banalizuar e i pavend për një vampir, që i sosi ditët duke mashtruar, fshehur e akuzuar të tjerët, pa iu nënshtruar një tribunali si një ndër gjakësorët e krimeve kundër njerëzimit. Më duket e pavend dhe e pandershme për ta parë në dritën sentimentale njerëzore domethënien e kësaj monstre të përçudnuar pa asgjë njerëzore ndaj popullit, thuajse të vet.
Po të hyjmë të kërkojmë episode të dobësisë njerëzore, ato mund ti gjejmë edhe ndër xhelatët e torturave e pushkatimeve dhe, të tilla, mbase i gjen edhe tek Koçi Xoxe, Zoi Themeli, Bilbil Klosi, Aranit Çela apo Nevzat Haznedari etj., por të cilët ekzekutuan me dhe pa gjyq disa mijëra shqiptarë, intelektualë, nacionalistë të majtë e të djathtë. Ku qëndron pra sekreti i këtij parfumi nostalgjik e sentimental për meritat e Ramiz Alisë nga diktatori i fundit në demokratin e parë (!)? Dhe kush? Një pasardhës fanatik i Enver Hoxhës, që nuk lejoi të cenohet sistemi dhe paja e tij ideologjike; që nuk bëri absolutisht asnjë ndryshim kur e kishte në dorë; që vazhdoi luftën e klasave me po ato parime; që nuk lejoi edhe pas rënies së komunizmit të prekej figura e diktatorit; që firmoste deri në vitin 1988-1991 dënimet politike me varje e pushkatim dhe deri në fund të vitit 1990 mbushi kufirin e paprekshëm me të vrarë (Qëllojini dhe vritini, ushtarët nuk mund të mbajnë përgjegjësi për ata që tentojnë të shkelin kufirin, – ishte urdhri i R. Alisë, i cili pasohej me linçimin e kufomave ndër teatro makabre që sajonte Sigurimi nëpër fshatra); dhe ishte ky udhëheqës në krye të pushtetit komunist që rrënoi, varfëroi e shkretoi ekonominë shqiptare.
Më kot parfumohet e vërteta, me spekulime të neveritshme se, gjoja, etiketimi i Ramiz Alisë është ngulitur si udhëheqës e jo si diktator. Për njeriun që kulturë qendrore ka studimin, arkivat, dokumentin dhe pasionin e ballafaqimit me faktet, Alia ka qenë, pa dyshim, një ndër diktatorët tipikë të Lindjes ish-komuniste, si: Stalini, Pol Poti e Çaushesku. Ndërsa për atë që raportet me të vërtetat i këmbejnë në tregje shëtitëse, kafene e lobingje ish-bllokmenësh, aventurierë e demagogë – e vërteta relativizohet sipas nivelit horizontal të cektësisë së spërkatur me kripëza, erëza e pluhurnaja broçkullash. Sipas këtyre retusheve, makiazheve e kozmetikave të pop-medias, Alia na serviret me merita të mëdha, të cilat (vini re!) historia nuk mund ti mohojë dot (!). Nuk e dimë për cilën histori (të paktën jo për atë të kafeneve), por për historinë tonë kombëtare, mjafton ta fusësh pak hundën në arkiva për të ndier si të shpon flegrat aroma e gjakut të pafajshëm. Por për apologjetët e rinj ramizistë, që interpretojnë shenjat e llurbës në filxhanët e kafesë, Ramiz Alia është pa dyshim demokrati i parë, që ka meritën për zgjedhjet e para të ndershme e të lira (sidomos, meqë po më kujtohet, nën mitingjet/antimitingjet e mitingashët dhe refrenin e qindra shkollave që lëshoheshin ditën e zgjedhjeve si kryqëzatat e dikurshme të fëmijëve nëpër dyer e shtëpive me parullën Parti-Ramiz, uniteti nuk lëviz!); që si Presidenti i parë pluralist bëri kalimin normal drejt institucioneve demokratike të një shoqërie të lirë. Kështu thotë semiotika e broçkullitjes së kafeneve, sipas rastësisë me kë je ulur, por jo pesha tragjike e të vërtetave, prej të cilave shoqëria jonë nuk është çliruar ende.
Por qytetari i vetëdijshëm shqiptar nuk ia fal Ramiz Alisë kryeneçësinë enveriste, kur ofertave miqësore të të dërguarit të Gjermanisë, Shtrausit, u tha Jo, nuk pranoj! Shtrausi këmbënguli sërish e sërish. Ja si e përcjell këtë situatë historiani M. Korça: I ofroi Alisë, që Gjermania të ndërtonte brenda një viti e gjysmë autostradën Vermosh-Jergucat, që Shqipëria gjatë saj të shiste benzinën dhe naftën e saj, që në restorantet e motelet e saj që do të ndërtoheshin, të shiteshin mishrat, perimet e bulmeti i saj, të cilat me kosto aq të lartë e përfitim aq të vogël eksportoheshin, e R. Alia tha prapë Jo, nuk pranoj!. I ofroi Shtrausi të zhvilloheshin vende turistike malore e bregdetare që ta begatonin vendin sa hap e mbyll sytë, dhe përgjigjja gjithmonë qe e njëjtë: Jo, jo dhe jo!. Po çfarë i kërkoi Shtrausit ky imitues i madhështisë së diktatorit, që fytyrën djallëzore e fshihte pas buzëqeshjes dhe mirësisë së shtirë? I kërkoi raketa, raketa balistike ndërkontinentale! Dhe Shtrausi iku, iku. Shtrausi u kthye në Gjermani dhe vdiq. E gazeta gjermane shkruan se ai nuk vdiq nga Perëndia, por e plasi Ramiz Alia!
Si çdo diktaturë e diktator, edhe Ramiz Alia ka lënë trashëgiminë e tij. Të drejtpërdrejtë, të induktuar, të restauruar. Fakti i një numri të madh shkrimesh në mediat tona, që gati sa nuk na e shenjtëruan djallin duke na e paraqitur thuajse si një gjyshe të ëmbël, të butë e zemërdhembshur, është tregues se do të na duhet ende kohë e gjatë për tu pastruar nga fryma molepsëse ramiziste.
Ramiz Alia është i qetë, largohet i kënaqur, pasi ka parë zbatimin në jetë të direktivave që u dha pinjojve të tij trashëgimtarë, në mbledhjen me dyer të mbyllura të Byrosë Politike të vitit 1989, me fjalën programatike: Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë, ku mes të tjerash, tha dhe këto: Të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do tu japim nga një letër në dorë që tu njihet prona, por asnjëherë nuk do tu japim pronën e tyre dhe në forma të ndryshme do ti ngatërrojmë me njëri-tjetrin. Ata do të kalojnë nëpër gjykata, ku do të zbatohet rotacioni nga Gjykata e Shkallës së Parë në të Dytën etj., dhe për defekte teknike, do të kthehen përsëri në të Parën… Ata që do të pretendojnë, kundërshtojnë apo do të këmbëngulin, do të lëndohen e do të ndëshkohen. Pasuria e tyre na përket neve… Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste, ne komunistët reformatorë do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist, të jemi ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda dy-tri legjislaturash, do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë. Të jeni të sigurt që e ardhmja do të jetë jona…. E ardhmja e

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›