E Diel, 1 Nëntor 2026

Shakaja serbe me Dobrica Qosiqin për Çmimin Nobel

10-10-2011 / Gazeta 55

Lajmi habiti të gjithë serbët. Me 6 tetor shkrimtari nacionalist, “Dobrica Qosiq është laureuar me çmimin Nobel për një orë”, titullonte gazeta Danas. Lajmi i rremë, i marrë nga shumë media serbe si radio B99 dhe britanikja “The Guardian”, është vepër e një grupi artistësh që ka krijuar një faqe interneti njësoj si ai i Akademisë së Suedisë dhe i kanë dhënë çmimin Qosiqit. Grupi më pas ka shpjeguar se donte të tërhiqte vëmendjen mbi “rrezikshmërinë e ndikimit të Qosiqit mbi publikun”. Qosiq, një ish-anëtar i Partisë Komuniste dhe i Shërbimeve sekrete të UDB-së, është një figurë kryesore e nacionalizmit serb.
***
Mirëpo kush është me të vërtetë Dobrica Qosiq? Dobrica Qosiq, njëri nga presidentët serbë të ish-Jugosllavisë, është i njohur për pikëpamjet e tij nacionaliste e shoviniste, sidomos kur bëhet fjalë për shqiptarët, dhe konsiderohet si njëri nga inspiratorët e luftërat e përgjakshme që ndodhën në hapësirat e ish-Jugosllavisë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar. Në librin e fundit Dobrica Qosiq shkruan për shqiptarët, sipas traditës së përgojimeve të Vlada Gjorgjeviçit se “shqiptarë kanë bisht”, tha se ndarja etnike e Kosovës është e detyrueshme, sepse shqiptarët paskëshin “veçori antropologjike”. Pseudo-shkrimtari Dorica Qosiq ende e sheh veten si “baba të kombit serb”. Pas romaneve të para, ku ai përshkruante luftën partizane dhe luftën e tmerrshme vëllavrasëse të çetnikëve nacionalistë serbë me komunistët, autori më i lexuar i Serbisë përkëdhelej nga Lidhja Komuniste si poet laureatus. Diktatori jugosllav Josip Broz Tito me qejf e merrte komunistin e zjarrtë në udhëtimet e tij me anije nëpër Adriatik. Kur në fund të viteve ‘60 Tito dënoi represionin serb në Kosovë dhe i largoi nga puna disa përgjegjës - mes tyre edhe ministrin e Brendshëm Aleksander Rankoviq, Qosiq u largua nga partia.
Nën maskën e disidentit ai u bë burim nocionesh për nacionalistët. Kështu në vitin 1977 Qosiq deklaroi: “Ky popull ka një ekzistencë tragjike, sepse ka luftuar për bashkim dhe ka përjetuar ndarjen; ka luftuar për republikën dhe ka fituar monarkinë; ka synuar lirinë dhe ka përfunduar në diktaturë; ka luftuar për vlerat europiane dhe për përparim dhe ka mbetur njëri ndër popujt më të prapambetur në Ballkan”. Ky mesazh arriti efektin. Në ambientet e tymosura të hotelit “Moskva” në Beograd dhe në rezidencën e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) në rrugën Knez Mihajlova shumë intelektualë mendonin dhe skiconin kufijtë për Serbinë e Madhe. “Serbët fitojnë të gjitha luftërat dhe humbin përherë në paqe”, -ishte ankuar Qosiq. Përmes një indiskrecioni në vitin 1986 në media kishte depërtuar Memorandumi i Akademisë mbi gjendjen e popullit serb. Manifesti nacionalist i shërbeu liderit të ri të komunistëve Slobodan Miloshevic si doracak për politikën e tij agresive në vitet ‘90 kundër popujve të tjerë të Jugosllavisë. Qosiq, i cili konsiderohet si udhërrëfyes i luftërave në Kroaci dhe Bosnjë, është njëri nga autorët e Memorandumit dhe e shihte Milosheviqin si shpëtimtar të kombit serb. Në pranverë 1992 Qosiq u ligështua nga sharmi i Milosheviqit dhe u zgjodh president i Jugosllavisë së cunguar. Një vit më vonë Milosheviqi e përzuri “Tolstoin serb” - gjoja për shkak të planeve për puç. Atë kohë Qosiq bëri një parashikim profetik: “Sot Miloshevici është një dukuri anakronike. Frikësohem se misioni i tij do të përfundojë tragjikisht, si në pikëpamje nacionale, ashtu edhe në atë personale”. Në vitet ‘90 Qosiq u përpoq t’i pastrojë njollat nga biografia e tij. Ai u bë anëtar i lëvizjes studentore “Otpor”, e cila ndikoi dukshëm në rrëzimin e diktaturës së Miloshvicit, kritikoi regjimin dhe mbështeti opozitën. Edhe sot në moshë të thyer Qosiq mban kontakte të ngushta me përfaqësuesit më të lartë të shtetit. Kur në fillim të korrikut u bë inaugurimi i presidentit të ri serb Boris Tadic, Qosiq ishte në rendin e parë të mysafirëve. Me Lubomir Tadicin, babain e kryetarit të tanishëm të Serbisë, Qosiq i takon rrethit të ideologëve të çështjes serbe.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›