Rrofsh në luftë! U prefsh në paqe!
nga Inida Gjata ZHAKU
Emri është përjetësia jonë. Emri është ai që na vendos në gojë të njëri tjetrit. Emri është ai që shkruhet në histori. Emri i gdhend veprat tona . Dhe emri , për njeriun gjatë jetës , shndërrohet në një kurth i cili herë ka formën e një çarku minjsh e herë të një karremi peshqish. Dhe e gjithë jeta jonë kushtëzohet nga sesi emri ynë përflitet.Por, sikur të bëhej thjesht fjalë për një përfolje të tipit : “filani hyri e filani doli” , emri ynë do të përflitej thjesht për disa vogëlsira të cilat me pak dashamirësi, mund ti konsiderojmë edhe si informacion që të tjerët kanë dëshirë të shkëmbejnë rreth të gjithëve. Mirëpo emrat tanë bëhen seanca gjygjësore nëpër gjelltore , tavë dheu për karristokratët moralistikë , kollare zyrtare për qafat profesionale dhe befas ndodh që emri të shndërrohet edhe në një lak që të shtrëngohet dalëngadalë në fyt deri sa të mund të prehesh në paqe. Dhe vetëm kur prehesh në paqe , vetëm atëherë kur nuk je më në këtë botë, të gjithë nisin të rrëfejnë e të shprehin respekt për ty. Të gjithë i urojnë të gjithëve të prehen në paqe. Mbase sepse, në mënyrë të pavetëdijshme, të gjithë e dimë se sa ua nximë jetën njëri tjetrit , ndaj dhe me siguri në botën tjetër shpëton. Por , në fund të fundit, atij që i urohet të prehet në paqe, nuk ka ç´i hyjnë më në punë fjalët e askujt. Dëshirat e askujt. Urimet e askujt. Kujtimet e askujt. Vetëm emrit i hyjnë në punë të gjitha. Vetëm emri mbahet gjallë me to. Njeriu jo. Por emri pa njeriun është si një letër e bardhë, mbi të cilën cdo kush shkruan cfarë i thotë mendja. Dhe kjo letër e bardhë është përjetësia jonë . Përjetësia e gjithësecilit prej nesh. Emri ynë i zhgarravitur nga përgojimet e gjithkujt. Nga paragjykimet e nga gjykimet e gjithkujt. Dhe kjo çorbë ku përzihet emri ynë sa më shumë centrifugohet nëpër gojët e gjithkujt aq më shumë humbet çdo lidhje me ne. Dhe përjetësia jonë shndërrohet në një rreckë të shpëlarë e përzier me lloj lloj njollash që shkruajnë emrin tonë me plot gabime.
