Portretet e patriotëve në ekspozitë, “Gjurmë” në Durrës bashkon breza të ndryshëm artistësh

Si rrallëherë, një ekspozitë sjell së bashku portrete të figurave kombëtare, të realizuara përmes teknikave të ndryshme, nga vaji në kanavacë deri te string art, i njohur si arti me fije.
Nën titullin “Gjurmë”, ekspozita e çelur në Galerinë e Artit Pamor në Durrës, në kuadër të festave të Nëntorit, synon të ndërtojë një urë komunikimi mes fondit historik të institucionit dhe krijimtarisë bashkëkohore, duke afruar publikun me zhvillimet artistike të qytetit.
Drejtoresha e Galerisë së Artit Pamor, Alketa Tragaj, u shpreh se “Ekspozita ‘Gjurmë’ ka si qëllim të sjellë artistët e rinj të qytetit të Durrësit, por jo vetëm, për të sjellë një qasje të re.”
Kjo ekspozitë bëri bashkë artistë të brezave të ndryshëm, ata që me veprat e tyre tashmë janë pjesë e fondit të artit të galerisë, por edhe të rinjtë që me krijimet e viteve të fundit synojnë të lënë gjurmën e tyre në historinë e artit të qytetit bregdetar.
/rtsh.al/