Portugalia e etur për fitore, por mund të rrezikojë mbrapa
Portugali-Shqipëri numëron mbrapsht kohën e mbetur deri në 21:45 të mbrëmjes së sotme, kur edhe do të përballen në sfidën eliminatore të Grupit 1 për Botërorin 2010. "Mendohet se të jetë një ndeshje jo e lehtë për ne, por duhet të fitojmë në shtëpi përpara publikut tonë. Jemi në një formë optimale për të luajtur në sulm dhe për të shënuar. Ne do të luajmë lojën tonë, pa u influencuar nga kundërshtari", ka nënvizuar Nani, në prag të ndeshjes së Bragës. Optimizmi i mesfushorit portugezëve të Mançester Junajted është i madh: "Ne luajmë në shtëpi. Kemi lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Kundërshtarët kanë një mbrojtje të fortë", tha ai. Ndeshja me Shqipërinë është shumë e rëndësishme për Portugalinë, për të cilën fitorja ndaj kuqezinjve tanë është një detyrim, pasi ndihmonte shumë në rrugën drejt realizimit të objektivit, kualifikimin për në Botëror. I këtij mendimi është edhe Mutinjo Zhoao. "Nuk tolerohen gabimet. Kemi punuar shumë për këtë ndeshje. Luajmë në shtëpi, prandaj fitorja është një detyrim. Na duhet ky trepikësh për të përmirësuar situatën tonë në grup". Mutinjo nënvizon se synimi për të arritur me çdo kusht fitoren, mund të bëjë që Portugalia të lërë shumë hapësira prapa. "Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi në kërkim të golit mund të rrezikojmë".