E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mjaft!" nis monitorimin e gjykatave

Lëvizja "Mjaft!" lançoi dje projektin e saj të ri për monitorimin e gjykatave, të mbështetur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Ky projekt synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut dhe të ushtrojë presion pozitiv mbi gjykatat për të qenë më të përgjegjshëm për qytetarët, si dhe për të forcuar zbatimin e ligjit dhe shtetit ligjor. Oficeri i Zhvillimit të Përgjithshëm të USAID, z. Sean Huff, theksoi rëndësinë e veprimeve qytetare për të monitoruar reformat e qeverisë dhe rolin e qytetarëve për të vëzhguar, diskutuar, monitoruar dhe denoncuar korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Ai gjithashtu deklaroi se ky sektor nuk duhet të dobësohet, të lihet mënjanë, apo të mbështetet në mënyrë të tepruar. Përkundrazi, ky sektor duhet të jetë tërësisht i integruar në shoqëri, duke vepruar si një partner i barabartë në reformat në Shqipëri.

"Qytetarët duhet të sigurohen që procesi gjyqësor është i lirë nga korrupsioni dhe ndërhyrjet e paligjshme të politikës. Qytetarët nuk duhet të presin nga të tjerët për ta bërë këtë. Ata janë vetë përgjegjës dhe në fund janë pikërisht ata që përbëjnë forcën më të fuqishme për ndryshim në Shqipëri", theksoi Huff. Antuen Skënderi dhe Elton Kacidhja, që të dy përfaqësues të "Mjaft!", thanë se organizata do të fokusohet kryesisht në monitorimin dhe pastaj publikimin e rasteve të korrupsionit në gjyqësor për sa i përket deklarimit të pasurisë së gjyqtarëve dhe konfliktit të interesave. Përpjekjet do të fokusohen në Gjykatat e Rrethit Gjyqësor të Shkodrës, Vlorës dhe Gjykatës së Apelit Tiranë. Projekti i monitorimit të gjyqësorit synon vëzhgimin e punës së tre gjykatave të rëndësishme në vend, siç janë Gjykata e Apelit në Tiranë, Gjykata e Rrethit Shkodër dhe Gjykata e Rrethit Vlorë. Fokusi kryesor i monitorimit do të përqendrohet në vëzhgimin dhe denoncimin publik të rasteve të Konfliktit të Interesit. Kjo do të realizohet përmes monitorimit sistematik të veprimtarisë së gjykatave që janë subjekt vëzhgimi, nga monitoruesit lokalë, të cilët do të raportojnë për këtë veprimtari në faqen zyrtare të Programit të Monitorimit të Lëvizjes MJAFT!, www.unevotoj.com.

Do të përdoren tre komponentë për të mundësuar vlerësimin dhe konstatimin e rasteve të konfliktit të interesit apo korrupsionit: analiza mbi deklarimin e pasurive të gjyqtarëve, procesverbalet e seancave gjyqësore dhe ankesat e qytetarëve. Qytetarët do të mund t‘i bëjnë ankesat e tyre në kutitë postare të vendosura enkas për këtë qëllim. Këtu qytetarët do të denoncojnë rastet e konfliktit të interesit apo shkeljes së procedurave ligjore në gjykatë. Në Tiranë, një e tillë ndodhet pranë zyrave të lëvizjes "Mjaft!", ndërsa në Shkodër e Vlorë kutitë ndodhen pranë gjykatave.

Nga raportet periodike të organizatave prestigjioze si "Transparency International", duket se sipas perceptimit të qytetarëve, 60% e tyre nuk kanë besim tek institucionet e gjyqësorit në Shqipëri. Një nga arsyet e këtij perceptimi është pikërisht ndarja që ky pushtet ka krijuar nga qytetari gjatë 18 viteve tranzicion.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›