E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Për të frenuar Kristiano Ronaldon duhet pistoletë"

"Për të frenuar Kristiano Ronaldon duhet të nxjerr pistoletën". Këto ishin disa prej fjalëve të trajnerit Ari Han në konferencë për shtyp, në ambientet e hotel "Guimaraesh", pak orë përpara sfidës me Portugalinë. Nga rezidenca kuqezi në tokën luzitane, drejtuesi i stolit të Kombëtares foli për gjendjen e skuadrës. Holandezi shprehu besimin se skuadra e ka harruar humbjen tronditëse në Hungari, ndërkohë që theksoi se sfida me të besuarit e Karlos Kueiroz nuk do të jetë e thjeshtë. "Është një ndeshje e shumë e rëndësishme për Portugalinë, që kërkon të ngjitet në renditjen e grupit. Por, edhe ne kemi objektivat tona", tha tekniku. "Shpresoj, që të luhet një futboll i mirë. Skuadra e ka kaluar gjendjen, që e goditi pas takimit me Hungarinë. Atje u ndëshkuam fillimisht nga një gol aksidental, që ktheu tërësisht rrjedhën e lojës. Mendoj se gjithçka ka kaluar. Kemi edhe një stërvitje në dispozicion, për të parë se si do të shkojnë gjërat. E dimë që është e vështirë përballë një ekipi si Portugalia. Por, skuadra duhet të reagojë pas një humbjeje. Detyra ime, si trajner, është që ta përgatis një gjë të tillë. Në rast se skuadra nuk do të reagojë, kjo tregon se diçka nuk shkon". Më tej, Han ka folur për dëmtimet brenda skuadrës, duke siguruar se Lorik Cana do të jetë në fushë. Ndërsa mendon se Shqipëria mund të bëjë surpriza. "Për sa i takon Canës, ai do të jetë në fushë kundër Portugalisë. Pa diskutim. Ndërsa për Vangjelin dhe Hykën do të kemi edhe një stërvitje në dispozicion, për të parë se si do të shkojnë gjërat. Unë besoj se do të kemi mundësinë për surpriza". I pyetur për kundërshtarin dhe kualitetin e portugezëve, trajneri kuqeziu shtoi: "Portugalia është një skuadër e madhe, ndër më të mirat në botë. Cila do të ishte ajo skuadër, që do të kishte 4 mungesa të rëndësishme dhe përsëri do të mbetej e frikshme".

Formacioni - Nuk do të ketë shumë surpriza, formacioni i Shqipërisë do vazhdojë të jetë 4-2-3-1. Në vendin e Dallkut të pezulluar në krahun e djathtë do të luajë Vangjeli, ndërsa Agolli do të jetë në të majtë. Në qendër, Curri dhe Beqiri. Mesfusha do t‘i besohet sërish fantazisë së Skelës, me Canën dhe Lalën në pozicione më difensive, ndërsa në krah do të luajnë Duro dhe Berisha. Në sulm vjen edhe ndryshimi më i madh, ku Bogdani do t‘i lejë vendin Edmond Kapllanit.

Portugalia - Edhe vendasit do të bëjnë disa ndryshime nga formacioni që në fundjavë barazoi pa gola në fushën e Suedisë. Për ndeshjen në Bragë, trajneri Kueiroz do të modifikojë diçka në të tre repartet, por ndryshimet në mesfushë dhe në sulm tregojnë qartë se ai kërkon një lojë më ofensive përballë kuqezinjve. Mbrojtësi i qendrës, Fernando Meira, i lë vendin Manuel Fernandes. Dani, i Zenit St. Petersburg, do të aktivizohet si titullar në vend të lojtarit të Mançester Junajted, Nani, ndërsa në sulm Nuno Gomes hyn në vend të Hugo Almeidas.

Bastet - Kompanitë e specializuara kanë bërë të ditur se 95 për qind e atyre që kanë vendosur baste për këtë ndeshje i kanë besuar Portugalisë. Koeficienti për fitoren e luzitanëve është 1,1, për barazimin 7, ndërsa për fitoren e Shqipërisë 24. Si rezultatet më të mundshme jepen 2-0 dhe 3-0, me koeficientin 5.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›