Portugezët zgjedhin parlamentin e ri
Në mes të një situate problematike, si pasojë e krizës buxhetore, këtë të dielë në Portugali po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Më shumë se 9,6 milionë qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin deputetët për 230 mandate në total. Sipas anketimeve të kryera, pritet të ketë ndryshim pushteti. Partia Socialiste e kryeministrit aktual Jose Socrates, ndodhet prapa socialdemokratëve konservatorë. Nëse këto prtishmëri realizohen, atëherë do t`i takojë opozitës detyra e zbatimit të masave të kursimit, të vendosura nga BE dhe FMN. Socrates dha dorëheqjen në muajin mars, pasi qeveria e tij e pakicës dështoi në parlament me programin e kursimeve. Me 7 prill vendi kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve për shpëtimin e euros dhe arriti të shmangë përkohësisht falimentimin shtetëror. Në muajin maj Portugalia negocioi për një paketë ndihme prej 78 miliardë eurosh.