Këtu ka dorë njeriu

Ska asnjë lloj dinamizmi mes vendndodhjes së trupit dhe makinës, vendosja e trupit është e pamundur të ketë ndodhur pa dorën e një njeriu
Varianti i vdekjes aksidentale të, Kostra Trebickës, duket i pavërtetë, për ish-kreun e SHIK-ut, Fatos Klosi. Ky i fundit nisur nga detajet në vendin e ngjarjes, në një prononcim për “Korrierin” shpreh dyshime se të forta se ngjarja është inskenuar, bazuar tek mënyra e pozicionimit të trupit e të makinës. Sipas tij, ka shumë mospërputhje mes mënyrës sesi duhet të kishin rrjedhur gjërat nëse vërtet do të bëhej fjalë për një aksident. “Ato që pashë janë të dyshimta. Trupi i shtrirë në drejtimin e kundërt, nga lindja; makina në lëndinë 50 metra larg. Më duket çudi si mund të ndodhë që të ketë dalë nga makina. Nuk e di si mund të ketë ndodhur. Megjithatë ka specialistë...”- thotë Fatos Klosi. Ish- numri një i Shërbimit Informativ Kombëtar, thotë se vdekja aksidentale e dëshmitarit kyç në aferën e tregtisë së armëve, ku është përmendur edhe përfshirja e të birit të kryeministrit Sali Berisha, edhe mund të ndodhë, por, jo në këto rrethana. “Edhe mund të ndodhë. Mua s’ma mbush mendjen dinamika. Nuk flas kot, jam fizikant. Vendndodhja e trupit dhe makinës nuk kanë asnjë lloj dinamizmi të mundshëm”- shtoi Klosi. Ai hedh dyshime se skena pas aksidentit, nuk mund të jetë origjinale, madje garanton se është falco. Sipas tij, aksidenti vdekjeprurës, nuk mund të ndodhte sikundër është paraqitur. “Duke parë vendosjen e trupit është e pamundur të ketë ndodhur pa dorën e një njeriu. Pra, nuk mund të ketë ndodhur për shkak të një problemi të makinës apo shoferit”- deklaron, ish-numri një i SHIK-ut, Fatos Klosi. Ndërkaq, ai thotë që edhe nëse bëhet fjalë për një vrasje të paramenduar e “të stisur”, përgjegjës për mosparandalim nuk mund të jetë Shërbimi Informativ Shtetëror. Sipas Klosit, SHISH-i nuk mund të ishte në djeni. “Nuk merret SHISH-i me këtë çështje. Janë të tjera struktura, policia kriminale dhe prokuroria”- deklaroi ai. Një tjetër pikë e diskutueshme është fakti nëse një nga dëshmitarët kryesorë të çështjes së tregtisë së armëve duhej të ishte vënë në mbrojte apo jo nga strukturat shtetërore. Për Fatos Klosin, marrja në mbrojtje e dëshmitarëve nuk është traditë në vendin tonë. “Duke parë zhvillimet të gjithë do të thoshin; “do të ishte mirë të ishte marrë në mbrojte”. Pastaj kush do ta merrte në mbrojtje?! Do ta merrte shteti. Ky shtet ka qenë kundër tij”- tha ish-kreu i SHIK-ut. Për, Fatos Klosin, një nga pasojat kryesore duhet të ndihet pikërisht tek qytetarët. “Populli të ndërgjegjësohet. Të kuptojë se çfarë po ndodh dhe kë ka në krye”- shtoi ai. Ndërsa Klosi hedh hije dyshime se elementët në vendin e ngjarjes nuk përputhen me një aksident të vërtetë, policia thotë se vdekja e Kosta Trebickës, ka ardhur si pasojë e një aksidenti të pastër.