E Shtunë, 31 Tetor 2026

Postrestaurimi i pazarit karakteristik, “dështon” projekti 1.2 mln dollarë

GJIROKASTER- Dështon projekti për kthimin në identitet të pazarit karakteristik, i cili u miratua dhe u tenderua nga UNESCO. Mjafton një vëzhgim mbi punimet e kryera në qendër të pazarit dhe vë re abuzimet e pafundme në godinat qindravjeçare, në pjesën muzeale. Për realizimin e këtij projekti u dha një fond prej 1.2 milionë dollarësh, ndërsa punimet u kryen nga firma restauratore “Gen-Red”, menaxheri i të cilës është Reshat Gega. Afro një vit pas përfundimit të këtyre punimeve, e vetmja ndërhyrje që është bërë në dyqanet karakteristike është ajo e zëvendësimit të disa dritareve të vjetra dhe restaurimi i çative. Banorë dhe përfaqësues të bizneseve pranë pazarit karakteristik pohojnë se skelat qëndruan për më shumë se 8 muaj, ndërsa puna u bë gati vetëm për 20 ditë. Sipas tyre, cilësia e punimeve është e dobët. Ndërkohë, nuk ka informacion për menaxhimin e fondit të lartë dhe mënyrën e ruajtjes së vërtetë të hapësirave tradicionale, pasi vetë banorët shprehen se me këtë gjë është abuzuar. Në Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës nuk jepet informacion se si është restauruar ajo pjesë e pazarit, e cila është unike. Kreu i këtij institucioni, Spartak Drrasa mjaftohet me faktin se “këto punime janë tenderuar nga UNSECO dhe restauruar nga një firmë që nuk ka lidhje me drejtorinë tonë.

Tani, pas përfundimit të punimeve pritet ardhja e supervizorëve, si dhe nisja e kontrolleve në lidhje me objektet në fjalë nga vetë përfaqësuesit e UNESCO-s. Një prej tregtarëve të hershëm në pazarin karakteristik që pas ndryshimit të sistemit është edhe Kasi Dhrami, i njohur si shitësi i dyqanit të suvenirëve në qendër të pazarit. Objekti ku prej vitesh ai operon, është ai i Karagjozëve. Ndonëse ky objekt u përfshi në restaurimin e UNESCO-s, një mastërplan, i cili edhe pse synon kthimin në identitet me ruajtjen e strukturës, stilit dhe harmonisë së dikurshme, tashmë po rrezikon shembjen. Çatia e dikurshme e këtij objekti ishte me tjegulla, e vërtetuar nga foto e dokumente krejt ndryshe nga sa është bërë sot. Ndërhyrja restauruese nuk bëri gjë tjetër veçse shtoi çatinë e re me gurë mbi trarët e vjetër, duke rrezikuar godinën, madje edhe banorët që janë të shumtë në këtë zonë. Janë dhjetëra godina të pazarit karakteristik që aktualisht kanë një imazh krejt ndryshme nga ai i dikurshmi, me apo pa “restaurim” qofshin.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›