Kërkesa për energji do të varet nga zhvillimi i ekonomisë
Lidhja midis zhvillimit ekonomik të vendit dhe kërkesës për energji konsiderohet si një pikë e nxehtë dhe paraqitet si një cikël i mbyllur. Ky cikël mbart në vetvete shumë analiza ekonomike, sociale, teknologjike dhe për të përcaktuar saktë korelacionet midis tyre duhet që të realizohen shumë studime. Të gjitha këto përbëjnë dhe bazën për sfidat dhe angazhimet, me të cilat duhet të përballet sektori energjetik shqiptar për të siguruar optimizimin e burimeve energjetike me kosto sa më të ulët, për të garantuar atë nivel të furnizimit me burime energjetike që t’u krijojnë mundësi të gjithë konsumatorëve të plotësojnë nevojat e tyre dhe për pasojë të krijohen kushte për një zhvillim ekonomik sa më të qëndrueshëm. Mbështetur në studimin “Mbi Sektorin Energjetik Shqiptar”, të bërë nga Banka Botërore, janë parashikuar tre skenarë të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Duke marrë në konsiderate treguesit ekonomikë, Shqipëria është në konformitet me detyrimet që ka përkundrejt FMN-së dhe procesit për Paktin e Stabilizim-Asociimit në BE. Parashikimet janë mbështetur në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social, si për ekonominë në tërësi, ashtu edhe për sektorë të ndryshëm në veçanti.
Disa nga sfidat më të rëndësishme që do të shoqërojnë sektorin energjetik janë zhvillimet ekonomike të sektorëve të ndryshëm, ecuria e intensitetit energjetik, ecuria konsumit energjetik për banorë, vetëplotësimi me burime vendi i nevojave totale energjetike dhe vetëplotësimi me naftë vendi i nevojave totale për nënprodukte nafte. Sfidat e sektorit energjetik në çdo vend janë të lidhura në mënyrë të pandashme me zhvillimin e sektorëve ekonomik. Që nga viti 1992 ekonomia shqiptare ka kaluar një proces transformimi nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut. Zhvillimet ekonomike të vendit kanë qenë me ritme të larta dhe normat e rritjes së GDP-së kanë qenë 9.6% më 1993, 9.4% më 1994, dhe rezultati më i lartë u arrit më 1995 me një vlerë prej 11.3%. Ritmet e rritjes së GDP-së filluan të bien gjatë vitit 1996 dhe gjatë vitit 1997 për shkak të kolapsit të firmave piramidale.