E Shtunë, 31 Tetor 2026

Potreti i një populli

Një muze modest etnografik i veriut shqiptar me foto të Pjetër Marubit dhe nxënësit të tij, Kolë Idromeno.


Ekspozita e hapur deri më 9 maj në MHK, prezanton peizazhe të Shkodrës, Zadrimës, Dukagjinit, jetën sociale të fshatit dhe qytetit, përkatësinë fetare dhe Luftën për Pavarësi


Portrete burrash dhe grash shkodrane, zadrimore, dukagjinase, peizazhe të jetës qytetare dhe fshatare të veriut të Shqipërisë, fotografi nga shpallja e Pavarësisë, të realizuara nga Pjetër Marubi dhe Kolë Idromeno nga viti 1888 deri më 1913.


Në një ekspozitë të hapur deri më 9 maj në Muzeun Historik Kombëtar. E quajtur "Portreti i një populli", ajo prezanton 26 fotografi të Idromenos dhe Marubit.


Fotografitë e Marubit, i pari që solli artin e fotografisë në Shqipëri, dhe nxënësi i tij Idromeno, janë marrë nga arkivi i Institutit të Kulturës Popullore Tiranë. Janë pjesë e projektit "Bujaria e Shqiponjave" të programit "Interreg III", që mori përsipër restaurimin dhe stampimin të Fotetekës "Marubi".


Restaurimi i fotografive dhe shtypja janë kuruar nga fotografi Gino Bleve.
Ekspozita është e ndarë në tri seksione: "Grupe dhe Familje", "Gratë" dhe "Burrat".
Në të parin Marubi dhe Idromeno kanë fiksuar familje të veriut të Shqipërisë, Shalës, Mirditës, Zadrimës, Shllakut, Dukagjinit në vitet 1888-1900.


Të Marubit janë "Fshatarët e Mirditës" (1888), "Dy gra me kostume të thjeshta", "Burrat e Shalës", "Malësorët e Shllakut", të gjitha të vitit 1890. Kurse Idromeno në këtë seksion prezantohet me "Fshatarët Katolikë të Zadrimës" (1890) dhe "Malësorët e Dukagjinit".


Më së shumti ky seksion, duket një muze i vogël etnografik i fundit të '800-ës dhe fillimit të '900-ës në Shqipëri. Kemi këtu burra të veshur me tirqe, jelekë dhe breza të qëndisur, çallma të lidhura në kokë, gra me fustane të gjera, të mbështjella me shami, shumë bizhu rreth qafës. Te "Fshatarët katolikë të Zadrimës", burri, gruaja, dhe e reja (nusja apo bija), me qëndrimet dhe portretet, ndihmojnë për të lexuar pak nga natyra, karakteri i tyre.


Burri me trupin qiri të drejtë, mustaqelli, që i ka kthyer shpinën dy grave që ka në krah, shpreh një karakter krenar. Gruaja është e mbështjellë me shami. Kurse e reja është e futur në një fustan të gjatë. Ka zbuluar flokët deri tek nofulla dhe ka zbukuruar qafën me lloj e soj arturinash, mes tyre edhe një kryq që tregon përkatësinë fetare.


Në fotografinë "Malësorët e Shllakut gjatë prodhimit të rakisë" (1890), Marubi ka fotografuar një grua me tipare noprane dhe me një hije prej burri, me flokë të gjatë e të kreshpëruar dhe me vetullat e ngrysura.


Seksioni i dytë, me 6 fotografi, "Pasazhe dhe skena të jetës sociale" i referohet jetës së malësorëve, punëve dhe zanateve të tyre, po aq edhe gëzimeve e tyre. I takon Idromenos të tregojë më tepër me artin e tij për Shkodrën. Liqeni, Buna, Pazari i Shkodrës, peizazhi rreth qytetit, shprehen të gjalla në fotografitë e tij.


Tek "Një pasdite vere në Shkodër" e '900-ës, në rrugicat e njohura të Pazarit, të kufizuar nga të dyja anët më shtëpi të ulëta, shihen gra me çadra në duar, të veshura me çitjane dhe me shami të gjata rrotull kokës që u shkojnë deri poshtë belit. Ndërsa gratë enden në rrugët e pazarit, burrat janë arratisur larg qytetit dhe kanë hedhur rrjetat në liqen (në foton "Peshkatarët në liqen", 1890).


Ai ka fotografuar edhe dy pamje nga Shkodra, Urën e Mesit, në periferi të qytetit dhe një mjedis fshati, njerëzit e shpërndarë në fusha, e të tjerë hipur në kulla me rastin e Ditës së Pavarësisë. Dy fotot janë titulluar "Ura e Mesit Shkodër-Bunë" (1900).


Në seksionin e tretë, "Peizazhe dhe skena nga jeta sociale", Marubi është i pranishëm me: "Atelieja e argjendarit" (1900) dhe "Londini di Zadrima" (1890). Në fotografinë e parë shihet një argjendar para një tezge me bizhu. Kurse fshati Zadrimor, tregohet me fshatarët në ara dhe qetë që plugojnë tokën.


Këndi që i është kushtuar grave dhe vajzave malësore, të mban më gjatë përpara fotografive. Nga Idromeno një fshatare në festën e luleve, një katolike duke dalë nga shtëpia, dhe një kurtizane, parë nga Marubi, përbëjnë seksionin "Gratë".


"Gruaja katolike që del nga shtëpia" është e mbuluar kokë e këmbë dhe ka një shikim të ndrojtur, gati të frikësuar.


Kurtizania e veshur me një fustan me krahë të gjerë dhe jelekë të qëndisur, e tëra e mbuluar me bizhu, zbukurime në flokë, rruaza në qafë, unaza në të gjithë gishtërinjtë, është e rehatuar në kolltuk dhe duket e kënaqur.


Një tis lumturie ka rënë edhe mbi portretin e fshatares nga lumi i Bunës, që po shkon në festën e luleve. Në kokë ka bukën e zbukuruar me lule dhe ka veshur xhubletë.


Për burrat në ekspozitë ka një vend po aq të rëndësishëm. Për ofiqarët, luftëtarët, fetarët e Shkodrës së 900-ës. Ky është seksioni i fundit i titulluar "Burrat". Në krye është fotografia e Idromenos, "Dy katolikë që tregojnë pikturën e Skënderbeut" (1910), ku shihen burra brenda një manteli të zi deri në fund të këmbëve.


Po nga Idromenoja kemi edhe fotografinë e Ismail Qemalit me një ofiqar turk të veshur me uniformën zyrtare, dhe në mes tyre është një fëmijë i veshur me kostum popullor. Fotografi shkodran ka një numër fotosh, që i kushtohen Festës së Pavarësisë.


Në fotografitë "Banda Ushtarake e Lirisë" (1910) dhe "Dita e Pavarësisë" (1913) duken fëmijë me uniformë që mbajnë në duar flamuj dhe vegla muzikore, klarineta, daulle, fagot. Ja një mënyrë për të treguar për gëzimet e tyre. Veshjet dhe trupat e hajthëm të fëmijëve flasin për kushte të vështira jetese.


Një realizim artistik i përkryer, që të fton të rrish gjatë në këtë seksion është ai "Takim për vëllazëri", ku një grup burrash kanë zaptuar faqen e një mali.


Veshjet e tyre janë gjithfarësh, që nga fustanellat deri tek pardesytë e gjata.
Në këtë seksion "Marubi", është i pranishëm me foton e një fëmije me veshje popullore, "Fëmijë nga Korça me kapelën e një luftëtari, realizim i 1890-ës. Vihet re një pozim i thjeshtë dhe natyral i fëmijës së veshur me fustanellë, me një rrip të zi rreth gjurit dhe në brez dhe një kapelë luftëtari.


Ekspozita e Marubit dhe Idromenos, e hapur në kuadër të aktiviteteve që Ambasada Italiane po zhvillon këto kohë në Tiranë me sloganin "Shqipëri-Itali, dy popuj, një det, një miqësi", qëndron deri më 9 maj në Muzeun Historik Kombëtar. Ndihet vetiu nevoja e një hapësire më të madhe, me më shumë fotografi që krijojnë një imazh të plotë për artin e dy fotografëve dhe mjeshtërinë e tyre.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›