Zgjedhjet lokale, LSI ndryshon lidershipin

LSI-ja mblodhi Komitetin Drejtues Kombëtar për të përcaktuar axhendën e saj politike. Meta flet për ndryshime në reformën zgjedhore
TIRANË- Vetëm pak muaj pas zëvendësimit të Pëllumb Xhufit dhe Sabit Brokajt përkatësisht në postin e zëvendëskryetarit dhe nënkryetarit, LSI-ja i është nënshtruar dje ndryshimeve të reja të lidershipit. Kështu, Petrit Vasili, aktualisht Ministër i Shëndetësisë nuk do të jetë më Sekretar i Përgjithshëm i partisë. Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI-së e zgjodhi atë nënkryetar, një post ky në fakt i shtuar, sepse vetëm në muajin Tetor të vitit të kaluar në postin e zëvendëskryetarit të LSI-së, ose të numrit dy të partisë në vend të Pëllumb Xhufit u zgjodh Edmond Haxhinasto, ndërsa në vend të Sabit Brokajt si nënkryetar i partisë u zgjodh Lefter Koka. Ndërkohë, nga sot e tutje, postin e Sekretarit të Përgjithshëm do ta mbajë Luan Rama ndërsa Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun është vendosur Ardit Çela. Sipas njoftimit zyrtar të LSI-së, ndryshimi në lidership u mor "në kuadrin e riorganizimit të partisë për përballimin e sfidave të ardhshme". Gjatë forumit më të lartë drejtues, përfaqësuesit e LSI-s në Qeveri, bënë një pasqyrë të punës tetë mujore të qeverisjes si dhe prezantuan projektet për të ardhmen.
Meta
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi u ndal në kontributin që sipas tij LSI-ja ka dhënë gjatë kësaj kohe në qeverisjen e vendit, duke theksuar në mënyrë të veçantë procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin në Bashkimin Europian. Meta theksoi se LSI-ja ka dhënë kontribute të rëndësishme, jo vetëm për qeverisjen e vendit, por edhe duke intensifikuar përpjekjet për integrimin në BE. Ndër të tjera ai theksoi LSI-ja do të vazhdojë të jetë një forcë kontribuuese për arritjen e standardeve europiane dhe ftoi që pjesë e kësaj alternative të bëhet dhe opozita. Meta tha gjithashtu se LSI-ja do ti kushtojë rëndësi angazhimit për një "një reformë të ndershme, ndryshe nga reforma e bërë për zgjedhjet e 28 qershorit sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR"-it . Gjatë fjalës së tij, Kryetari i LSI-së, Meta thekoi se afrimi i zgjedhjeve lokale duhet të shoqërohet dhe më përgatitjet përkatëse nga LSI-ja duke i kushtuar rëndësi problemeve, që kanë qytetarët, por dhe profilit të kandidatëve që do të përfaqësojnë LSI-në në këto zgjedhje.