Shkurtim fondesh për jetimët, të trafikuarit dhe të moshuarit
Procesi i reduktimit të buxhetit të shtetit, i cili do të ketë efektin domino te të gjithë sektorët jetësorë, po krijon stres në dikasteret ku “thuren” politikat. Shëndetësia, Arsimi, Bujqësia e sidomos Shanset e Barabarta, tashmë ndodhen në vështirësinë e zgjedhjes se kujt t’ia heqin paratë e kujt t’ia lënë. Për më shumë, të gjithë këta sektorë janë jetësorë për individët dhe familjet shqiptare, për pacientët, për studentët, nxënësit, për personat në nevojë dhe për sektorin e bujqësisë. Në një shkresë zyrtare, Ministria e Punës dhe e Shanseve të Barabarta i sjell në vëmendje Financave, se pavarësisht reduktimit që duhet të kryejnë problemet që do të sillte ky shkurtim, do të ishin me pasoja fatale për të gjithë ata që përfitojnë nga buxheti i punës, në kategorinë e njohur si “Mbrojtja sociale”. Në një shkresë zyrtare, Ministria e Punës analizon faktorët dhe sqaron financat se kjo do të sillte mosfunksionimin e institucioneve që japin kujdes social, për kategori të caktuara. Por jo vetëm kaq, një pjesë e fondeve i nevojitet dikasterit për të paguar faturat që kanë mbetur të palikuiduara gjatë vitit 2009.
ShkresaNga ana e Ministrisë së Financave, Ministria e Punës dhe Shanseve të Barabarta për vitin 2010 në artikujt “Mallra e shërbime të tjera” i është programuar t’i pakësohet fondi në vlerën 98.6 milionë lekë. Konkretisht planifikim-menaxhim, 13.9 milionë lekë, mbrojtja sociale 59.7 milionë lekë, tregu i punës 20.2 milionë lekë, inspektimi në punë 4.8 milionë lekë. Në lidhje me pakësimin e fondeve në programet buxhetore planifikim-menaxhim dhe administrim në tregun e punës, inspektimit në punë, pakësimi do të kryhet sipas vlerës së programuar nga Ministria e Financave, ndërsa për mbrojtjen sociale nuk mund të realizohet pakësimi në vlerën e programuar prej 59 milionë lekësh. “Nga ana e Ministrisë së Punës, detajomi i limiteve mujore nuk është i barabartë për 12 muajt e vitit, pasi nga viti 2009 kemi pasur fatura të palikuiduara (ushqime, medikamente, detyrime ndaj KESH-it dhe Ujësjellësit këto për mungesë fondesh”, sqaron në shkresën zyrtare Ministria e Punës.
Mbrojtja socialeProgrami i mbrojtjes sociale përfshin edhe 27 institucione rezidenciale publike të përkujdesit shoqëror ku marrin shërbim 1050 klientë, fëmijë jetimë, 0-3 vjeç, jetimë 3-14 vjeç, të moshuar të paaftë fizikisht dhe mendorë, si dhe femra të trafikuara. Pakësimi i fondeve në 27 institucionet e përkujdesit shoqëror do të prekë për 6-mujorin e dytë kuotën vetjake të tyre, veshjet e detergjentët, si dhe detyrimet e tjera. “Nëse do të realizohet pakësimi i këtyre fondeve në vlerën e programuar nga Ministria e Financave, do të rezultonte që për katërmujorin e fundit të vitit 2010, këto institucione të mos funksionojnë. Sugjerojmë që te programi i mbrojtjes sociale në art 602 “Mallra e shërbime të tjera” të programohet pakësim nga 59.7 milionë lekë të bëhet në vlerën 29.7 milionë lekë. Ndërsa art. 606 “transferta te buxhetet familjare dhe individët” pakësim nga 1.050 milionë lekë të bëhet 1.080 milionë lekë”, theksojnë ekspertët e ministrisë së Punës, të cilët kanë analizuar në detaje parashikimin se çfarë mund të ndodhë nga pakësimi i “qeses” së buxhetit për këtë sektor.
#