E Diel, 1 Nëntor 2026

Prag tragjedie në Bulqizë, shembet pjesërisht pallati me 56 banorë

>Policia evakuon banorët. Bashkia: Janë të paligjshëm në ndërtesë 
Tragjedia e Gjirokastrës, duket se mund të përsëritet nga momenti në moment në rrethe të ndryshme të vendit tonë. Ditën e djeshme, banorët e një pallati në Bulqizë kanë ndier ankthin dhe frikën se mos banesa e tyre u binte mbi kokë, pas një shembjeje që pallati ka pësuar në pjesën e pasme të tij. Por me tu njoftuar për këtë prag tragjedie, policia ka bërë menjëherë evakuimin e 56 banorëve të pallatit në rrezik, duke i larguar menjëherë nga ndërtesa e rrezikshme. Sipas burimeve të policisë, pallati mund të shembet totalisht nga momenti në moment duke rrezikuar jetën e 56 banorëve që jetojnë në të. Për të shmangur një tragjedi të mundshme, policia ka larguar me forcë të gjithë banorët e pallatit, të cilët kanë kundërshtuar largimin nga shtëpitë e tyre.
Pallati drejt shembjes 
Lidhur me ngjarjen, kryetari i bashkisë së qytetit të Bulqizës, Roland Keta ka bërë të ditur se një pjesë e murit të katit të dytë të pallatit është shembur rreth orës 10:00 të ditës së djeshme. Sipas tij, ky pallat është i papërfunduar, dhe ka qenë i destinuar për tu shndërruar në një hotel. Banorët që jetonin në të, kanë hyrë pa lejen e bashkisë brenda ambienteve të kësaj godine në vitin 1996, ka deklaruar Keta. Ndërkohë, rreziku që paraqet ky pallat duket se kësaj here është marrë seriozisht nga instancat shtetërore, teksa njoftohet se sapo është mësuar për ngjarjen, është mbledhur shtabi i emergjencave i Ministrisë së Brendshme për tu interesuar për banorët. Sipas Kryetarit të bashkisë së qytetit të Bulqizës, Roland Keta, mendohet se shkaku i shembjes kanë qenë ngricat e ditëve të fundit. Ndërkaq, aktualisht nuk ka asnjëri në brendësi të ambienteve të pallatit, ndërkohë që bashkia ka pohuar se do të merren të gjitha masat për strehimin e banorëve.
Tragjedia e Gjirokastrës
Tragjedia e Gjirokastrës u shënua më 9 nëntor, teksa gërmimet për ndërtimin e një pallati të ri kanë rrëzuar një pallat 5 katësh të banueshëm. Në këtë ngjarje humbën jetën 3 persona si dhe u shkatërruan dhjetëra banesa duke u shkaktuar miliona lekë dëme banorëve. Ndërkaq, vetëm pak kohë pas kësaj ndodhie, Këshilli Bashkiak i Vlorës ka vendosur me unanimitet të plotë, shembjen e pallatit 1149 në lagjen 29 nëntori të këtij qytetit, i cili rrezikon të shembet nga momenti në moment dhe mund të përsërisë tragjedinë e Gjirokastrës. Në të vërtetë edhe historia e pallateve është gati e njëjtë. Pallati që rrezikohet të shembet në qytetin bregdetar, të keqen e ka nga ndërtimi vetëm 1.5 metra larg tij tre vjet më parë të një pallati tjetër 11 katësh. Tashmë, 15 familje në pallatin e vjetër jetojnë me frikën e shembjes së tij sepse muret e tyre kanë të çara deri aty sa mund të shikosh nga një hyrje tek tjetra. Sipas banorëve, ata nuk kanë lënë derë pa trokitur dhe për të kërkuar ndihmë, por askush nuk është kujtuar për ta. Të paktën familjet me rrezik kanë marrë masa dhe kanë larguar nga aty fëmijët dhe shprehen se në ndodhtë e keqja ti zërë të paktën ata. Mirëpo kjo frikë nuk do të jetë më nëse do të zbatohet vendimi i këshillit bashkiak të qytetit, marrë në mbledhjen e fundit të tij. Ky këshill ka dëgjuar fillimisht kryetarin e bashkisë, Shpëtim Gjika, që ka argumentuar faktin se përse duhet prishur ky pallat dhe që u ka bërë thirrje banorëve ta braktisin sa më parë atë që mund të shembet nga dita në ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›