E Shtunë, 31 Tetor 2026

MONODRAMA, Drita Pelingu: Rouz, ndonjëherë ka jetuar dhe brenda meje...

>Aktorja mbyll karrierën e saj artistike 60 vjeçare me pjesën e dramaturgut amerikan Martin Sherman
Aktorja e njohur Drita Pelingu do ti japë sot lamtumirë karrierës së saj 60-vjeçare, me monodramën Rouz, shkruar nga dramaturgu amerikan Martin Sherman, e cila do të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar, deri në datën 18 janar. Monodrama ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Bujar Alimanit, vite më parë student i aktores Drita Pelingu, i cili arrti ta e bindë aktoren e madhe që të ringjitet edhe pse i ka kaluar të 80-tat, për të interpretuar në një monodramë, e cila do të zgjasë një orë e njëzet minuta. Roli i Rouzit, një grua e moshuar hebre që flet për jetën dhe luftën, një rol të cilin aktorja madhe e përcakton si një mozaik ngjyrash, një rol që është përzgjedhur nga aktorja për të mbyllur dhe karrierën e saj artistike, por duke e cilësuar si një prej roleve më të mira të saj. Në këtë intervistë dhënë për gazetën, aktorja rrëfen për karrierën e saj artistike, deri në momentin kur ajo duhet ti thotë lamtumirë asaj.

-Vini në skenën teatrore me një monodramë. Cila është historia e Rouzes?

Rouz është një rol shumë interesant dhe një rol i nivelit të lartë artistik, një rol që mbart ngjarjet më të rëndësishme të shekullit të 20. Është një hebre në moshën 80 vjeç, por të gjitha këto ngjarje dramatike që kalon Rouz nuk i thajnë shpirtin, nuk i ndrydhin ndjenjat, përkundrazi këto e zhvillojnë atë intelektualisht dhe bëjnë që ajo të ngrihet në një zë të fuqishëm që është zëri i nënës, gruas, kundër dhunës, gjakmarrjes, hakmarrjes, është vërtetë një zë shumë i fuqishëm. Kjo është njëra anë e Rouzes, ndërsa ana tjetër është bota e saj intime. Ajo ka lindur për ta jetuar jetën, ajo ka lindur për të gëzuar dashurinë, në kuptimin e gjere të fjalës, të vëllait, të fëmijës apo dashurinë intime të botës së femrës, por pavarësisht që e gjitha kjo i shkatërrohet, sërish ajo është grua, mbetet femër. Në shfaqje me gjithë dramacitetin e madh  të ngjarjeve që ndodhin, ajo në momente të caktuar është një grua që ka një kujtesë të fortë. Megjithatë vjen një rreze dashurie që e rinon, që kthen Rouzën e dikurshme, që zbut ngjarjet dramamatike të veprës, që jep dyanësinë e figurës së saj. Pra me pak fjalë për mua ky rol është një mozaik ngjyrash.

- I keni kaluar 80 vjeç dhe do të interpretoni një monodramë për gati një orë e gjysmë në skenë. Si ndiheni?

Frikë nuk kam, por unë mendoj se si e kam nxjerrë unë këtë rol, sepse unë gjykatësi i vetvetes nuk mund të bëhem. Atë notë mua do të ma vejë spektatori kur të shikojë shfaqjen, por unë e dua shumë këtë rol. Për mua çdo premierë është një provim dhe sa më tepër kalon mosha ky provim bëhet më i vështirë, sepse përgjegjësia është më e madhe. Bëhet i vështirë, sepse gjatë këtyre 60 viteve të karrierës sime unë kam krijuar një emër, dhe unë nuk dua që këtë emër ta prish në fundin e saj.

-Janë studentët tuaj në këtë projekt. Çmund të na thoni për këtë bashkëpunim?

Janë studentët  e mi të tre, si regjisori Bujar Alimani, skenografi Klajd Ymeri si dhe asistent regjisori Mikel Kalemi, dhe kjo është një kënaqësi shumë e madhe. Unë kam pasur dëshirë që studentët të ma kalojnë dhe për mua është një kënaqësi që të punoj me studentët. Unë në gjashtë muaj më parë mbarova një film me metrazh të shkurtër, ku ishte Artan Malaj, një studenti im dhe rolin kryesor e kisha unë. Po kështu studentët më kanë thirrur në një film në Greqi para katër vjetësh me titull Qyteti i nëndheshëm me  një regjisor grek. Kishim studentë që punonin atje, të cilët i rekomanduan emrin tim. Pasi pa CV time unë vajta dhe luajta filmin, por kjo ndodhi vetëm në sajë të studentëve të mi. Është kjo lëvizje shumë e madhe që unë kam me studentët, po të vini në shtëpinë time do të shikoni shumë dhurata simbolike, të cilat vijnë pasi studentët kanë dalë në jetë. Ato unë i ruaj si kujtime shumë të shtrenjta.

-Çfarë emocionesh ju ka falur filmi dhe teatri?
Për mua primar është teatri, sepse këtu kontakti është direkt me spektatorin , është një marrëdhënie reciproke që kalon artisti me spektatorin. Unë e përjetoj ngjarjen e Rouzës këtu, por në asnjë moment nuk e kam humbur logjikën time. Unë e di që këtu janë spektatorët, e di që ata po më ndjekin dhe jam e vëmendshme që ata e ndjejnë apo duhet të ngrihet zëri, pra unë në të njëjtën kohë që përjetoj rolin, unë jam shumë  e ndërgjeshme se kam njerëz këtu. Pra ky përjetim nuk më humbet lidhjen me spektatorin.

-Keni ndonjë peng gjatë  karrierës suaj artistike?
Mendimi im ka qenë gjithmonë, që kur nuk ka ëndrra artisti vdes, jo vdekje biologjike, por është vdekje e ëndrrave të tija. Por unë ëndrrat i kam akoma dhe sot, dhe në këtë moshë që unë jam, unë jam koshiente e mundësive shëndetësore të mia, të cilat më detyrojnë të tërhiqem, por që kam pasur ëndrra dhe vazhdoj të kem, ajo qëndron akoma tek unë.

-Një rol me përmasa të tilla për tu vënë në skenën teatrore kërkon më shumë energji apo kapacitet?

I kërkon të gjitha, kërkon energji, por kërkon edhe kapacitet jo vetëm në kuptimin e talentit, por kërkon edhe një lloj intelekti që të bëj zbërthimin e kësaj vepre, sepse kjo nuk është një vepër që thotë luftë kudër disa gjërave, prandaj kur flasim  për Rouzes se nuk i thau shpirtin dhe ndjenjat nuk është se i thotë me fjalë, por janë veprimet e saj që na lënë të kuptojë se asaj nuk i është tharë shpirti, se ajo akoma në një kohë shumë të largët kur i kanë ndodhur shumë ngjarje dramatike ajo akoma lyen flokët dhe i bën ato me fije ari. Duhet bërë një zbërthim i imët dhe jo vetëm të ngjarjeve në copëza, sepse kjo ngjarje është ndarë në copëza, pasi në fillim ajo është adoleshent dhe më pas vjen  mosha e pjekurisë së saj, por  kjo ndarje do të ishte  përsëri një lojë e përgjithshme. Secila nga këto ngjarje ka nëngjarjet e veta. Unë e kam punuar rolin shumë kohë më parë se të vinte Bujari. Kur ai erdhi unë e paraqita rolin dhe folëm dhe për përmirësime, për zbërthimin e imtësishëm të saj dhe këtë metodë unë ndjek në të gjithë rolet e mia. Por sa më tepër kalon koha piqet dhe aktori, por më ka ndihmuar dhe puna me studentët.

 
-Gjatë karrierës suaj keni pranuar çdo rol, apo mes tyre keni përzgjedhur?
 
Preferenca në role ka çdo artist, por unë kam pasur një fat që çdo artist dëshiron ta ketë. Unë në rolet e mia që janë mbi 130, më shumë se gjysma janë kryerole apo role kryesore. Unë nuk kam pasur vetëm një regjisor, por të gjithë  ata që kanë vënë shfaqje në Teatrin Kombëtar më kanë dhënë rol kryesor.

-I keni dhënë ju më shumë Rouzes, apo keni marrë më shumë prej saj?
Është interesant, unë i kam dhënë rolit me forcën time, i kam dhënë shumë dhe ndoshta kam harruar dhe shtëpinë time për Rozuses , nuk po ndahem prej saj, por dhe ajo më është ngjitur dhe nuk po më lëshon., por edhe kam mësuar prej saj. Rouz ka qenë dhe pikë referimi mbi jetën time, ndonjëherë ka jetuar dhe brenda meje Unë mendoj që në çdo vepër diçka mëson. Unë nga ky rol kam mësuar se njeriu duhet të gjejë forcë në vetvete për të përballuar vështirësitë, nuk duhet që ti humbasë shpresat, duhet të gjejë forca dhe jo ta mbysë vështirësia, por të përpiqet që ta përballojë atë.

-Kështu jeni dhe ju në të vërtetë?
Unë nganjëherë këputem, ka momente që jam  e dobët dhe dobësia ime kryesore qëndron në familjen time njerëzit e mi . Unë aty jam lule mos prek. Unë dua teatrin se ai ka qenë shtëpia ime e dytë dhe janë mbi 60 vite në skenë, por teatri është një pasion kurse dashuria ime e vërtetë është për  fëmijët e mi dhe kjo dashuri është e pazëvendësueshme.

-Me këtë monodramë ju i jepini fund karrierës suaj, çmund të na thoni për këtë?
 Unë mendoj që çdo fillim ka dhe një fund. Njeriu nuk duhet të presë dështimin e tij për tu larguar nga teatri, por dhe forcat e mia fizike nuk janë shumë të mira, megjithatë kur të shohin monodramën do të më thonë se si ia arrite ku ti gjesh këto forca, unë dhe vetëm unë e njoh veten time se sa  e fortë jam.  

-Në mbyllje të karrierës suaj, ku do të donit të identifikoheshit

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›