Praktika poshtëruese e Bashkisë së Tiranës
Është vërtet poshtëruese ajo që bëri Bashkia duke sulmuar e ofenduar grabitur një grup të madh të komunitetit rom që ka si punë të përditshme mbledhjen e plastikave e kanoçeve, punën më të ndershme e më dashamirëse me mjedisin, 100 herë më të ndershme e dashamirëse me mjedisin edhe se puna e cilitdo që e quan veten ambjentalist, përfshi edhe punën time, edhe të të vetmit artikullshkrus që e quan punën e tyre poshtëruese, përfshi dhe të ministrit të Mjedist edhe të Kryeministrit.
Ky artikullshkrues në shkrimin e tij (Panorama, 13 Korrik 2012) qysh në paragrafin e parë i bën thirrje Bashkisë së Tiranës të qëndrojë fort në poshtërsinë e saj ndaj romëve dhe ndaj një mjedisi më të pastër në qytet duke mos i toleruar ata edhe pse e shprehur në mënyrën habitore: Unë nuk e di nëse Bashkia e Tiranës do ta tolerojë ende praktikën poshtëruese dhe të dëmshme të kthimit përmbys të koshave të qytetit për të nxjerrë shishe plastike apo kanoçe alumini nga pjesëtarët e nderuar të komuniteti rom apo nga kushdo tjetër, shkruan ai.
Dhe në paragrafin në vijim artikullshkruesi i jep mbështetjen e tij të plotë aktit të turpshëm të dëmshëm e të rrezikshëm të Bashkisë. Ai thotë gati në mënyrë urdhërore: Por, ama, si përfaqësues i një shoqate aktive mjedisore, një gjë e di mirë, dhe për këtë po shkruaj dhe këmbëngul fort: praktika e gërmimit nëpër koshat në rrugët e qyteteve tona apo nëpër Sharrë për të mbledhur kanoçe alumini apo shishe plastike, duhet të marrë fund urgjentisht, sepse është sa e turpshme, aq edhe e dëmshme dhe e rrezikshme.
Artikullshkruesi: . ne kemi nevojë të kalojmë në një stad të ri të trajtimit të mbetjeve, në një stad që ka nevojë për organizim dhe institucionalizim.
Këtu artikullshkruesi ka të drejtë. Po pyetja është se kur do kalojmë në stadin e ri të trajtimit të mbetjeve? Çfarë duhet bërë deri sa të kalojmë në stadin e ri? Mos vallë stadi i ri paska ardhur me grupin që Bashkia mbështet në Sharrë apo diku gjetkë?
Artikullshkruesi: .ne si shoqatë refuzojmë të legalizojmë këtë praktikë të deritanishme si miqësore me mjedisin. Mbledhja e kanoçeve nga ana e komunitetit rom nëpër kazanët e qytetit është një praktikë që kurrsesi nuk mund të quhet si miqësore me mjedisin. Kurrsesi!
Sigurisht që puna që bëjnë romët duke ndihmuar në riciklimin e plastikës dhe aluminit është shumë miqësore me mjedisin, edhe pse me kosto për shëndetin e tyre. Deri sa të kalojmë në stadin tjetër (natyrisht nuk është stadi tjetër ky i tanishmi që po bën Bashkia duke i llumosur edhe mbetjet e riciklueshme me plehrat e tjera, që ta ketë më kollaj në Sharrë për ti mbledhur e për të fituar gjithçka kompania e mbështetur nga Basha), Bashkia, e cila nuk ka këllqe ti ndajë mbetjet në burim, mundet fare lehtë ti japë romëve disa maska hundësh e doreza, edhe ndonjë racion qumësht, që ata të vazhdojnë punën e tyre green e me të të ushqejnë fëmijët e tyre.
Artikullshkruesi: Do të jetë green puna e komunitetit rom atëherë kur Bashkia apo operatorë privatë të organizojnë institucionalisht veçimin dhe seleksionimin e mbetjeve në fund të procesit, pra në Sharrë apo diku gjetkë
Të gjithë, jo vetëm ambjentalistët, e dinë që veçimi dhe seleksionimi i mbetjeve bëhet në burim, jo në fund të procesit, pra në Sharrë apo diku gjetkë.
Përsëri goxha mbështetje shkon për Bashkinë, e cila tani po merret me veçimin e seleksionimin e mbetjeve ekzakt në fundin e procesit në Sharrë .
Artikullshkruesi: Prandaj çdo tentativë apo hap drejt rregullimit të kësaj situate shkon në drejtimin e duhur dhe ka mbështetjen e shoqatës sonë, dhe besojmë të të gjithë komunitetit të Tiranës,- thotë ai si konkluzion
Edhe pse e mbyll me këtë fjali pa kurrfarë kuptimi, artikullshkruesi edhe njëherë qartazi jep mbështetjen e vetë për çdo tentativë apo hap që shkon (shkoka) në drejtim e duhur.
Po cili është drejtimi i duhur?
Në të njëjtën datë që artikullshkruesi boton këtë shkrim mbështetës për hapat antimjedisor të Bashkisë së Bashës, fabrika e çimentos Antea, në një takim gjysëm të fshehtë, në hotel Tirana, pa praninë e mediave, njofton se ka një deal me Bashkinë e Tiranës për të djegur plehrat e Tiranës në fabrikë. Madje fabrika nuk mohon as djegien e plehrave të importit, pasi fabrika kërkon 70 ton mbetje në ditë që Tirana nuk ia ofron dot. Kështu kthehemi tek deal i Nanos në vitin 2004, që po kaq ton plehra do sillte nga Italia për tu djegur pak më afër Tiranës se Fushë Kruja, në Kashar.
Ky është drejtimi i duhur, që besohet se ka dhe mbështetjen e komunitetit të Tiranës?
