E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 2 shqiptarëve, 6 të tjerë në kërkim për vjedhje banesash



ITALI - Policia italiane ka arrestuar dy anëtarët kryesorë të një grupi shqiptarësh të specializuar në plaçkitje dhe vjedhje, përgjegjës për disa sulme në vila dhe apartamente. Pas arrestimit të dy shqiptarëve policia raportoi se gjashtë anëtarë të të njëjtit grup kriminal janë shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë, dy prej tyre dyshohet se janë rumunë. Hetimi filloi pas grabitjes në banesën e një biznesmeni të njohur në zonë, e cila ndodhi natën mes 11 e 12 nëntorit 2009. Grabitësit hynë në banesë atë natë pasi prenë telat e rrethimit, duke marrë më pas në shtëpi sende me vlerë dhe një sasi të hollash prej 10 mijë eurosh. Policia tha se grupi i hajdutëve akuzohet për gjashtë grabitje të tjera, të cilat janë ende në hetim. Kryesisht banesat në shënjestër të tyre u përkisnin personave të pasur në zonë. Shqiptarët dhe bashkëpunëtorët e tyre, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur, në shumicën e rasteve kanë vjedhur shuma eurosh, ndërsa kanë koleksionuar edhe sende me vlera të mëdha si bizhu apo mallrat ë tjera.

Arrestohet u dënuari me 8 muaj burg për vjedhje dhe armëmbajtje

TEPELENË – Ishte shpallur në kërkim pasi mbi të rëndonte dënimi prej 8 muajsh burg për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje, arrestohet Luan Caca. Ai akuzohet pasi një vit më parë, në bashkëpunim me tre persona të tjerë, të cilët janë arrestuar, kanë vjedhur 7 lokale në rrethin e Tepelenës. Sipas policisë, i ndaluari, sendet e vjedhura nga të arrestuarit e lartpërmendur i tregtonte në lokalin e tij dhe gjatë kontrollit që iu bë atje një vit më parë iu gjet dhe sekuestrua një sasi dinamiti, kapsollash dhe fitil ndezës. Gjatë kësaj kohe ky person fshihej në Kretë të Greqisë, pasi kishte kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme dhe është kthyer për në Shqipëri po nga mali, në afërsi të Kakavijës më datë 25.02.2010. Forcat policore, përmes informacioneve që kishin marrë në rrugë operative për fshehjen e tij te një i afërm, kanë mundur edhe të realizojnë kapjen e tij.

1 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›