Qeveria dhe BSH konkurrencë bankave private, favorizojnë tregun e bonove
Ervin KOÇI
Nevoja për likuiditet ka shtyrë qeverinë shqiptare që në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë të ndërmarrë një aksion financiar i cili duket se do tu prishë punë bankave private. Këto të fundit në pamundësi për ti dhënë likuiditetin e duhur qeverisë duke e kredituar, nuk kanë bërë kohët e fundit as tërheqje të mëdha të bonove nga ankandet që ka zhvilluar BSH-ja. Për pasojë ministria e Financave ndryshoi marrëveshjen që ka me Bankën e Shqipërisë për emetimin e bonove të thesarit, duke shtuar hapësirën e lejuar për blerjen e borxhit publik nga investitorët e vegjël individualë, bëhet e ditur nga burime zyrtare. Marrëveshja që ngarkon BSH-në për shitjen e titujve të borxhit për llogari të MF-së, lejonte më parë që blerjet pa ankand nga ana e individëve të mos kapërcenin 30 për qind të totalit të kërkuar nga Financat, ndërsa me një ndryshim të marrëveshjes, kjo kuotë u rrit në 50 për qind. Individët kanë blerë deri tani rreth 10 për qind të totalit të borxhit publik, ndërsa kjo kuotë pritet të rritet më shumë në të ardhmen. Tregu i borxhit publik shpërndan çdo vit për investitorët rreth 30 miliardë lekë interesa dhe është sot për sot mënyra më fitimprurëse për të investuar kursimet. Shumica dërrmuese e këtij borxhi është blerë nga bankat, të cilat investojnë aty depozitat e qytetarëve dhe kompanive, duke rritur kështu fitimet e tyre. Por me këtë ndryshim kjo gjë tani mund të bëhet fare mirë nga individët, pasi interesi është më i lartë se sa i depozitave një vjeçare që ofrojnë bankat tregtare në vend, pa pasur nevojë që qytetarët ti depozitojnë paratë e tyre në banka.
Vendimi i ri
Marrëveshja e mëparshme e emetimit sanksiononte se blerësit e vegjël nuk mund të blinin më shumë se 30 për qind të totalit të kërkuar nga Ministria e Financave, gjë që i linte një pjesë të investitorëve pa hapësirë. Me ndryshimin e fundit, individët do të mund të blejnë deri në 50 për qind të kërkesës për borxh nga qeveria. Aktualisht, qeveria emeton dy lloje letrash me vlerë: bono thesari dhe obligacione. Bonot e thesarit tregtohen për periudhat 3, 6 dhe 12-mujore, ndërsa obligacionet kanë periudha maturimi më të gjata 2, 3 dhe 5-vjeçare. Si për çdo borxh të kërkuar për të cilin paguhen interesa, edhe qeveria paguan interesa për këtë borxh. Këto janë më të larta se çdo lloj investimi tjetër në depozita. Por mungesa e informacionit për këto produkte, që kanë një historik të shkurtër në tregun bankar vendas, ka bërë që individët të jenë aktorë të pakët të këtij tregu, që në shumë raste, paraqet mundësi të arta fitimesh. Bonot e thesarit dhe obligacionet janë instrumente borxhi, nëpërmjet të cilave qeveria merr hua nga publiku dhe siguron të ardhurat e nevojshme për të financuar shpenzimet, që nuk i mbulon dot nga të ardhurat në buxhet.
Leverdia e bonove
Rritja e vazhdueshme, kohët e fundit e interesave të bonove të thesarit dhe obligacioneve, paraqitet si një mundësi e re për të investuar kursimet edhe për individët. Bankat në Shqipëri ofrojnë deri në 6.8 për qind interes për depozitat njëvjeçare në lekë, ndërkohë që e njëjta shumë mund të investohet fare mirë nga qytetarët në bono thesari përkundrejt interesit 9 për qind në vit. Ky lloj investimi (në bono thesari) ka mjaftë leverdi për qytetarët shqiptarë ku përveç interesit më të lartë se sa në bankat private, ai ka edhe dy favore të tjera të mëdha. E para është se, qytetarët ndryshe nga praktika e depozitimit të parave në baka private, ku fitimet nga interesat mund ti marrin vetëm pas një viti dhe në se nuk e prishin kontratën, në ankandin e bonove të thesarit të bërë nga BSH-ja, ata fitimin e interesit prej 9 për qind e marrin që në fillim. Leverdia e dytë është te garancia e madhe, pasi qytetarët në këtë lloj ankandi nuk i rrezikojnë në asnjë moment paratë e tyre, pasi ato i qarkullon shteti, në një kohë që bankat private edhe mund të kenë rrezik falimentimi. Individët mund të investojnë pa marrë pjesë në konkurs shuma që mund të variojnë nga 300 mijë deri në 30 milionë lekë.
1 Mars 2010