Pranga 31-vjeçarit, kapet me pistoletë e paruke
Vladimir Gjuta u arrestua pak minuta para se të finalizonte sulmin e tij. Policia dyshon se ishte përgatitur të kryente vrasje
Policia e Tiranës arrestoi mbrëmjen e së enjtes një 31-vjeçar të armatosur dhe të pajisur me pistoletë dhe një paruke, i cili dyshohet se kishte planifikuar të kryente ndonjë vrasje. Vladimir Gjuta, 31-vjeç, nga Tirana, i proceduar më parë për një pengmarrje të ndodhur në Çekrezë, u kap në Rrugën e Elbasanit. Burime zyrtare të policisë thanë se 31-vjeçari është ndaluar në momentin që ishte nisur të kryente një krim, i cili pritet të zbardhet nga policia. Në momentin e ndalimit, Vladimir Gjuta kishte paruke, doreza dhe një pistoletë, çka të lë të mendosh se po tentonte të kryente një akt të rëndë kriminal. “Ndaj 31-vjeçarit aktualisht po merret masa e arrestit në flagrancë për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që po punohet intensivisht duke punuar me metoda speciale të hetimit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të dokumentuar tërësisht shtrirjen në kohë të aktivitetit kriminal të tij’, - njoftoi dje policia e Tiranës. Përveç 31-vjeçarit u mor po ashtu masa e arrestit në flagrancë për veprën penale të kundërshtimit të punonjësve të policisë edhe për 20-vjeçarin Baftjar Bruka, banues në Kamëz të Tiranës, i cili në momentin e ndalimit dhe të kontrollit ka qenë i shoqëruar me shtetasin Vladimi Gjuta, ku ka kryer veprime aktive duke kundërshtuar punonjësit e policinë. Pas arrestimit, policia e Tiranës është duke hetuar të kaluarën e të arrestuarit, për të zbardhur krimin që ai kishte planifikuar të kryente para ndërhyrjes së policisë. Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të ndjekë dërgimin e tij para gjykatës. H.Hasani