E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzat për Kuliçajn, gjykata dënon me gjobë deputetin Balla

SHKRUAN: Leonard Bakillari 29-10-2011 11:22

Taulant Balla u dënua me 700 mijë lekë gjobë për akuza të pavërteta ndaj zv.drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Agron Kuliçaj. Balla: S’u heq asnjë presje deklaratave të mia

Tiranë Listës së deputetëve të PS-së, të dënuar për shpifje, i është shtuar dje deputeti Taulant Balla, i cili u dënua për akuza të pavërteta ndaj zv.drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Agron Kuliçaj. Gjykata çmoi se deklaratat e Ballës në adresë të Kuliçajt janë të pavërteta dhe për këtë arsye deputeti i PS-së do t’i paguajë zv.drejtorit Kuliçaj shumën e 700 mijë lekëve. Vendimi është dhënë rreth mesditës së djeshme nga gjyqtarja Rezarta Balliu, pasi i padituri nuk ka mundur të vërtetojë akuzat e bëra nga selia e Partisë Socialiste më 16 mars të këtij viti. Objekti i padisë së zv.drejtorit të Policisë, Agron Kuliçaj, kishte të bënte me akuzat që Balla bëri për përfshirjen e tij në kontrabandën e naftës virxhin. Pas vendimit të gjykatës, deputeti socialist deklaroi se kishte ardhur në Gjykatën e Tiranës për të depozituar provat, që sipas tij provojnë akuzat e adresuara ndaj Kuliçajt. Balla tha se nuk tërhiqet nga deklarata për zv.drejtorin e Policisë, pavarësisht vendimit të gjykatës që e dënon atë me gjobë. “Sot erdha në seancë për të paraqitur provat. Nuk u heq asnjë presje deklaratave të mia”- tha deputeti Balla pas përfundimit të seancës ku u dënua me 700 mijë lekë gjobë. Për vendimin e djeshëm të Gjykatës së Tiranës ka reaguar edhe zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj. Në një prononcim për mediat z. Kuliçaj tha se ky vendim i gjykatës vendosi në vend drejtësinë. “Gjykata vendosi në vend drejtësinë, vendimi u bazua në prova e fakte. Unë nuk kam të bëj me akuzat e Ballës, nuk kam qenë pjesë e hetimeve nga prokuroria”,- deklaroi Kuliçaj. Procesi gjyqësor për çështjen me nr.8556 nisi më 28 mars të këtij viti, kur Kuliçaj depozitoi në Gjykatën e Tiranës një padi ndaj deputetit Balla, të cilin e akuzoi për shkaktim dëmi me anë të deklaratave publike të pavërteta. Objekti i padisë civile u bazua mbi deklaratën që deputeti Balla bëri më 16 mars të këtij viti, duke hedhur akuza për përfshirjen e Kuliçajt në kontrabandën e naftës virxhin, për të cilën u arrestuan 13 persona me urdhër të prokurorisë. “Në kontrabandën e naftës ‘virxhin’, të kthyer në një krim shtetëror, rezultojnë të përfshirë shumë zyrtarë, ish-drejtues të ARMO-s shtetërore, drejtues lokalë të policisë e deri në drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, siç është rasti i ish-bodigardit të Saliut, Agron Kuliçaj”- tha Balla më 16 mars nga selia e Partisë Socialiste. Po në të njëjtën deklaratë, deputeti Balla i është përgjigjur një pyetjeje të ngritur prej tij për këtë çështje. “E si ka mundësi që një shtet i tërë mos t’i ketë rënë në gjurmë një krimi me përmasa të tilla? Shpjegimi është i thjeshtë: ai quhet Agron Kuliçaj” - do të deklaronte asokohe deputeti i PS-së. Këto deklarata nuk janë provuar në gjykatë nga i padituri, i cili nuk ka qenë i pranishëm në seancat gjyqësore që janë zhvilluar për këtë çështje. Deklarata e Ballës i është nënshtruar një ekspertimi audio-viziv me kërkesë të mbrojtjes dhe ka rezultuar se deklaruesi është deputeti Balla. Më herët, Gjykata e Tiranës ka dënuar deputetët Eduart Shalsi, Sajmir Tahiri dhe Artan Gaçi, të cilët, sipas gjykatës, kanë bërë deklarata të pavërteta ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi. Taulant Balla, deputeti i dënuar ditën e djeshme nga gjykata, gjithashtu është paditur nga deputetja Vokshi, e cila e akuzon atë për shkaktim dëmi nëpërmjet deklaratave të pavërteta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›