Vrasja e pronarit të argjendarisë, përgjimet zbulojnë autorin kosovar
Tiranë Policia e Tiranës arreston një 27-vjeçar nga Kosova, si autor të vrasjes së pronarit të argjendarisë, Rrapo Sinanaj. Nexhat Mulaj, 27 vjeç, lindur në Vitak të komunës Skënderaj, është mbajtur për 4 ditë në vëzhgim, ndërsa emri i tij si autor i dyshuar i ngjarjes erdhi pas një informacioni të marrë në rrugë operative nga agjentë të zonës pranë rrugës “Siri Kodra”, ku ka ndodhur edhe tentativa e grabitjes, që shkaktoi vdekjen e Sinanajt. Policia dhe hetuesit në Tiranë kanë vënë në përgjim disa persona që kanë patur njohje me kosovarin dhe më pas bisedat telefonike duket se kanë nisur të bindin gjithnjë e më tepër hetuesit se ka qenë kosovari 27-vjeçar ai që ka shkrehur pistoletën dhe ka vrarë një javë më parë 62-vjeçarin Rrapo Sinanaj. “Pas një sërë hetimesh të kryera disaditore, ku u përdorën të gjitha metodat speciale të hetimit si dhe një sërë veprimesh të tjera procedurale, u bë ndalimi i Nexhat Mulajt, në bazë të urdhrit të ndalimit, të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të vrasjes me pasojë vdekjen e shtetasit Rrapo Sinanaj dhe armëmbajtjes pa leje”, -tha dje zëdhënësja e policisë, Alma Katragjini. Policia e kryeqytetit edhe më parë e ka patur person nën vëzhgim të riun kosovar, pasi e dyshonte si njeri me potencial kriminal. Madje, në momentin e arrestimit atij i janë gjetur 4 karta identiteti me të dhëna të ndryshme nga njëra-tjetra të Kosovës si dhe një kartë identiteti shqiptare. Bllokimi i këtyre dokumenteve përforcon dyshimet e policisë se i riu kosovar është i implikuar dhe në aktivitete të tjera kriminale në vendin tonë. “Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 karta identiteti në emër të autorit Nexhar Mulaj, ku 4 prej tyre ishin lëshuar nga autoritet kosovare, ndërsa 1 kartë e lëshuar nga autoritet shqiptare”, - njoftoi dje policia e Tiranës. Pasditen e 22 tetorit autori i dyshuar ka hyrë në argjendarinë pranë rrugës “Siri kodra” dhe i ka kërkuar argjendarit 62-vjeçar që të fuste në një çantë të gjithë artikujt e shtrenjtë që shiste në dyqan. Sinanaj ka refuzuar dhe ka debatuar me grabitësin dhe në një moment i është afruar dhe i ka hequr kapuçin e zi që mbante në kokë. Në këtë moment Mulaj ka shkrehur pistoletën mbi argjendarin, duke e goditur me një plumb në kokë, çka i shkaktoi vdekjen e menjëhershme. Më pas, i dyshuari është larguar në këmbë nga dyqani, por është përplasur me një kalimtar që ka mundur ta fiksojë fytyrën e tij dhe nëpërmjet këtij kalimtari policia ka mundur të bëjë identikitin e autorit dhe, përveç kësaj të dhëne, në rrugë operative ka nisur verifikimet për të gjithë personat që përputheshin me identikitin. Më pas, personat janë vënë në përgjim dhe falë përgjimeve policia ka grumbulluar provat e nevojshme për të çuar para gjykatës 27-vjeçarin kosovar, i cili akuzohet për grabitje në tentativë me pasojë vrasjen dhe për armëmbajtje pa leje.