E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 59-vjeçarit, akuza për rrahjen e së shoqes

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 28-12-2010 10:55

Policia e Tiranës ka arrestuar një 59-vjeçar, i cili akuzohet se ka ushtruar dhunë mbi bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar plagë të rënda në fytyrë dhe në trup. Burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se i arrestuari është 59-vjeçari Asllan Lusha, banues në Institutin Bujqësor Tiranë. Ky person dyshohet se rreth orës 21:00 të ditës së diel, ka goditur me sende të forta dhe ka fyer bashkëshorten e tij Sh. Lusha, e cila si pasojë e plagëve të marra është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Mjekët e këtij spitali bëjnë të ditur se e dëmtuara ka marrë plagë të shumta në pjesën e fytyrës, si pasojë e goditjeve me mjete të forta, por fatmirësisht gjendet jashtë rrezikut për jetën.

Nga ana e saj, Policia e Tiranës, menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen e ndodhur, kanë bërë të mundur shoqërimin për në ambientet e Komisariatit Nr. 5 të Tiranës, të 59-vjeçarit Lusha, ndaj të cilit tashmë kanë nisur të gjitha veprimet hetimore për veprën penale të “Plagosjes së lehtë me dashje”. Nga marrja në pyetje e tre fëmijëve të familjes Lusha, por edhe e të afërmve të çiftit, është mësuar se konfliktet mes tyre kishin kohë që kishin nisur dhe nga të dhënat paraprake mësohet se një ndër shkaqet kryesore të konflikteve ishte xhelozia. Nga ana e tij, Asllan Lusha ka pohuar gjatë marrjes në pyetje nga ana e efektivëve të policisë se nuk e ka dhunuar të shoqen, ndërsa ballafaqimi mes tyre pritet të sqarojë pretendimet e bashkëshortëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›