E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sokol Koçiu padit dy prokurorët e çështjes “Dajti”

SHKRUAN: Habjon Hasani 28-12-2010 10:50

Tiranë- Sokol Koçiu, i cili ka marrë përsipër mbrojtjen e Dritan Dajtit përmes shoqatës “Byroja për mbrojtjen e të burgosurve”, ka dorëzuar në gjykatë një padi për prokurorët e kësaj çështjeje. Koçiu ka paditur prokurorët e Krimeve të Rënda, Ardian Nezha dhe Eugen Beçi, duke i akuzuar ata për falsifikim të provave në procesin kundër Dritan Dajtit. “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar respektivisht nga nenet 248 dhe 301 të Kodit Penal, janë dy akuzat e drejtuara ndaj prokurorëve të procesit ”Dajti”, të cilët pritet të përballen në gjykatë me Sokol Koçiun. Në kërkesë-padinë e firmosur nga Koçiu, ky i fundit rendit katër prova, që, sipas tij, vërtetojnë devijimin që prokurorët i kanë bërë çështjes. “Së pari, po ju paraqes tre akte dhe dy fotografi të administruara në fashikullin e gjykatës, të cilat tregojnë se dy metra larg vendit ku u gjendën të vrarë punonjësit e policisë, Saimir Duçkollari dhe Altin Dizdari, është fiksuar një autoveturë Mercedes-benz, me ngjyrë gri, poseduesi i të cilit ka qenë një nga të dyshuarit apo dëshmitarët kryesorë të vendit të ngjarjes. Pas ekzaminimit nga ana jonë, kjo provë rezultoi e manipuluar nga prokurorët. Pikërisht ky manipulim ka prishur themelin e hetimit, duke bërë që për verifikim të mos shkojë targa e mësipërme e fiksuar në vendngjarje, por një makinë tjetër e ngjashme” - thotë Koçiu në padinë që i ka dorëzuar gjykatës. Në këtë padi renditen edhe tre dokumente të tjera të dosjes, për të cilat Koçiu pretendon se janë manipuluar. Me këtë lëvizje, Sokol Koçiu, i cili edhe pse i palegjitimuar si mbrojtës i Dajtit, duket mjaft aktiv në strategjinë e përdorur nga avokatja legjitime dhe po tenton të provojë se dy prej punonjësve të policisë nuk janë vrarë nga Dritan Dajti në masakrën e 7 gushtit. Nga ana e tyre, prokurorët Ardian Nezha dhe Eugen Beçi kanë ngulmuar se versioni i tyre, i dorëzuar në gjykatë, është mëse i provuar, duke bërë përgjegjës Dritan Dajtin për vrasjen e katër punonjësve të policisë dhe të afërmit të tij, Ledian Mara. H.Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›