E Diel, 1 Nëntor 2026

Tokat në Farkë, dy zyrtarë të komunës e tre kryepleq në gjyq

SHKRUAN: Leonard Bakillari 28-12-2010 10:53

Tiranë- Dy zyrtarë të komunës Farkë dhe tre kryepleq janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Tiranës për abuzim me detyrën në administrimin e tokave. Pas një hetimi që zgjati gati dy vjet, njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka ngritur akuzë penale ndaj përgjegjësit të zyrës së Bujqësisë dhe topografit të komunës Farkë, të cilët kanë qenë pjesë e një komisioni që kishte si detyrë administrimin e procesit të ndarjes së tokës. Por sipas hetimeve të prokurorisë, rezulton se dy zyrtarët, tashmë të pandehur, në bashkëpunim me dy kryepleqtë e fshatit Farkë e Madhe dhe kryeplakun e fshatit Farkë e Vogël, kanë tejkaluar kompetencat që parashikohen në ligj, duke rishpërndarë tokën që u ishte dhënë banorëve të zonës, nga një tjetër komision. Pikërisht Komisioni i Ndarjes së Tokës, i ngritur në vitin 1992 për katër vite me radhë ka funksionuar pranë komunës Farkë dhe ka ushtruar kompetencat e tij për të ndarë tokën që u përkiste si trashëgimi banorëve, por duke përdorur njësinë për frymë. Ky proces, sipas legjislacionit në fuqi është kryer deri në vitin 1996, kur Komisionet e Ndarjes së Tokës janë shkrirë. Vetëm katër vjet më vonë, pra në vitin 2000, me vendim të Këshillit të Ministrave pranë komunave ngrihet një tjetër komision i quajtur Komisioni i Tokës. Puna e këtij komisioni, sipas hetimit të prokurorisë, por edhe në bazë të ligjit mbi të cilin ushtronte kompetencat, ishte bazuar në evidentimin e problematikës që paraqisnin banorët për ndarjen e tokës nga komisioni i mëparshëm. Në bazë të ankesave që kanë paraqitur disa banorë të fshatrave Farkë e Madhe dhe Farkë e Vogël, komisioni që ka funksionuar deri në vitin 2007 ka bërë rishpërndarjen e pronës, duke shkelur kështu hapësirat që parashikonte ligji. Ky komision që përbëhej nga topografi i komunës Farkë, Halil Teqja, dhe shefi i sektorit të Bujqësisë, Fiqiri Dallashi, në bashkëpunim dhe me kryepleqtë e fshatrave, në varësi të kërkesave ka rishpërndarë tokë në të paktën 15 raste, sipas një skeme që bie në kundërshtim me ligjin. Burime të rezervuara sqarojnë se komisioni, pas çdo ankese të paraqitur nga banorët e zonës, të cilët ngrinin pretendime se komisioni i mëparshëm u ka dhënë më pak tokë nga sa u takonte, rikryenin edhe një herë procedurën. Pas verifikimeve në terren dhe krahasimit me hartat e pronësisë, komisioni u ka dhënë banorëve sipërfaqen e tokës që ata pretendonin se u përkiste si trashëgimi nga të parët. Përveç faktit se komisioni ka tejkaluar kompetencat, duke ribërë edhe një herë këtë proces, organi i akuzës nuk ka vërejtur asnjë shkelje tjetër në këtë aktivitet. Sipas hetimeve, rezulton se toka që është dhënë nga Komisioni i Tokës ka qenë në pronësi të kërkuesve, edhe pse e drejta për të zotëruar këtë pronë nuk është dhënë nga komisioni i parë. Ky proces mund të konsiderohet i drejtë, në rast se ligji do t’i njihte të drejtën Komisionit të Tokës për të ripërsëritur procesin e ndarjes së tokës. Për sa kohë që objekt i punës së këtij komisioni ka qenë evidentimi i problemeve dhe kalimi i tyre për zgjidhje në institucione të tjera, të gjithë personat e përfshirë janë konsideruar nga prokuroria si përgjegjës për shpërdorim detyre dhe do të përballen në gjykatë me këtë akuzë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›