Pranga 8 zyrtarëve të Metrologjisë, mashtruan dhjetëra biznese në Tiranë
Arrestohen zv/drejtori i Përgjithshëm i Metrologjisë, Roland Çelmeta, kreu i zyrës së Tiranës, Moisi Musabelliu dhe 6 punonjës të tjerë të kësaj drejtorie. Kryenin matje dhe kolaudime fiktive, ndërsa paratë i merrnin për vete
Tiranë Tetë zyrtarë shtetërorë të arrestuar dhe një i nëntë i shpallur në kërkim është bilanci i operacionit të udhëhequr nga Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Dosja voluminoze e prokurorisë dhe policisë përmban përgjime dhe dokumente kundër zyrtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë pranë METE-s, të cilët akuzohen për veprën penale të “korrupsionit pasiv”. Prokurorët Sotir Kllapi dhe Adriano Dyrmishi kanë firmosur kërkesën për 9 urdhër-arrestet, ndërsa gjykata i dha dje “dritën jeshile” ekzekutimit të tyre në kuadër të operacionit “Kalibrimi”. Zv/drejtori i Përgjithshëm i Metrologjisë, Roland Çelmeta, Moisi Musabelliu, Kristaq Thanasi, Hetem Basho, Armand Xhika, Armand Shuaipi, Agron Damzi dhe Sokol Lami janë arrestuar dje në zyrat dhe në shtëpitë e tyre nga policia e Tiranës, nën akuzën e “korrupsionit pasiv”, ndërsa një tjetër inspektor i Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë është shpallur në kërkim. Nga provat e mbledhura prej hetuesve dyshohet se zyrtarët e arrestuar janë sjellë si “gjobëvënës” me shumë nga bizneset në të cilat shkonin të kryenin kontrolle, ndërsa përgjimet telefonike kanë nxjerrë në pah dhe natyrën se si funksiononte rrjeti shtetëror i “gjobëvënies” në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë. Sipas policisë së Tiranës, hetimi i realizuar me aplikimin e metodave speciale zgjati 7 muaj, kohë gjatë së cilës është konstatuar se zyrtarët e arrestuar kryenin matje fiktive të depozitave, distributorëve, autoboteve të karburanteve dhe gazit, peshore të llojeve të ndryshme të supermarketeve, lokaleve, furrave të bukës, dyqaneve të argjendarive, mallrave të paketuar si dhe taksimetrave. “Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se shtetasit e arrestuar, pasi merrnin paratë e kolaudimit apo kalibrimit të njësive të peshëmatjes, një pjesë të konsiderueshme të ardhurash nuk i kalonin në arkën e shtetit. Po ashtu, në shumën e rasteve nuk u jepnin subjekteve të ndryshme faturat e TVSH –së, si dhe kërkonin ryshfet nga subjekte të ndryshme, për të bërë kalibrimin apo kolaudimin e njësive të peshëmatjes”, - njoftoi dje zyrtarisht policia e Tiranës. Nga hetimi ka rezultuar se të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin bënin kolaudime fiktive të distributorëve të karburanteve të naftës, duke bërë të mundur që subjekte të ndryshme që tregtojnë karburant apo gaz, të kenë mundësi që të përfitojnë duke shitur më pak nga sasia që tregojnë aparaturat. Të njëjtin skemë ata aplikonin edhe me kalibrimin apo kolaudimin fiktiv në peshoret e furrave të bukës, supermarkete dhe subjekte të tjera tregtare. Zyrtarët e Drejtorisë së Metrologjisë, mes të cilëve edhe zv/drejtori dhe kreu i zyrës për Tiranën janë shoqëruar fillimisht në policinë e Tiranës, ku edhe u janë komunikuar masat e arrestit “burg pa afat”, të dhëna një ditë më parë nga gjykata. Tashmë ata do të përballen me akuzën e “korrupsionit pasiv” gjatë paraqitjes për njohjen me masën e sigurisë në gjykatë.
TË ARRESTUARIT
Roland Çelmeta, 40 vjeç, me detyrë Zv/drejtor i Përgjithshëm Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë,
Moisi Musabelliu, 35 vjeç, Drejtor i Drejtorisë Rajonale Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë,
Kristaq Thanasi, 38 vjeç, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë,
Hetem Basho, 45 vjeç, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë,
Armand Xhika, 35 vjeç, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë,
Armand Shuaipi, 36 vjeç, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë,
Agron Damzi, 33 vjeç, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë,
Sokol Lami, 28 vjeç, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë,
I shpallur në kërkim një tjetër inspektor
METE: Distancohemi nga aktet korruptive
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është distancuar dje nga aktet korruptive të zyrtarëve të Metrologjisë. Përmes një njoftimi për shtyp, METE
distancohet nga veprimet e këtyre zyrtarëve, duke thënë se përgjegjësia për këto veprime është vetëm individuale. “METE ka ndjekur me vëmendje ngjarjen e ditës së sotme, ku policia ka arrestuar me akuzën për “korrupsion” disa zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit, institucion nën varësinë e kësaj ministrie. METE distancohet nga veprimet korruptive të çdo individi që abuzon me detyrën e shtetit. Për METE-n, çdo person mban përgjegjësi individuale për punën dhe veprimet e tij”,- thuhet në reagim.
Në njoftim thuhet më tej se: “METE do të nisë urgjentisht analizat e duhura jo vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit, por edhe në të gjitha institucionet e tjera të varësisë, duke marrë të gjitha masat e nevojshme, gjithmonë në mbështetje të një shteti ligjor dhe të së drejtës”, - thuhet në njoftimin e shpërndarë dje nga zyra e shtypit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.