Zbardhen përgjimet e zyrtarëve të arrestuar: Turruni për kontroll!
Hetimet dhe përgjimet zbulojnë skemën e mashtrimit të 8 zyrtarëve të Metrologjisë, të cilët kryenin matje fiktive dhe paratë i fusnin në xhep. Në krye të skemës zv/drejtori Çelmeta, ja si i urdhëronte vartësit të niseshin për të vendosur “gjoba” në biznese
Tiranë Në krye të hetimit janë dyshuar si një grup mashtruesish, të cilët u vendosnin gjoba bizneseve, në emër të një institucioni që ka për detyrë matjen dhe kolaudimin e thuajse çdo subjekti tregtar. Por verifikimet e kryera nga prokurorët dhe përgjimet kanë zbuluar se bëhej fjalë për një grup zyrtarësh, të cilët akuzohen se vepronin si një bandë gjobëvënësish. Në krye të skemës së zbuluar nga Prokuroria e Tiranës qëndron Roland Çelmeta, zv/drejtori i Përgjithshëm i Metrologjisë, i cili akuzohet se urdhëronte vartësit e tij të vendosnin pulla të skaduara ose të falsifikuara në aparatet matëse të një sërë subjektesh tregtare në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit. Me urdhër të tij ose të drejtorit të Tiranës, Moisi Musabelliu, inspektorët kryenin kontrolle fiktive në subjekte të ndryshme tregtare, duke filluar që nga markete të lagjeve, supermarkete, furra buke, karburante apo dhe depozita karburantesh në qarkun e Tiranës. Detyra e inspektorëve ishte të kalibronin matësin e peshave dhe sasisë së mallrave që tregtoheshin, por realisht, të gjitha kolaudimet e bëra prej tyre kanë rezultuar fiktive, ndërsa paratë nuk depozitoheshin në buxhetin e shtetit.
Kallëzimi në Prokurori
Gjatë hetimeve 6-mujore, policia në bashkëpunim me Prokurorinë kanë mundur të evidentojnë një sërë rastesh abuzimi nga inspektorët e Drejtorisë së Metrologjisë. Pronarët e një marketi dhe të një furre buke kanë treguar se dy persona u janë prezantuar si inspektorë të Metrologjisë, duke vendosur edhe pullën respektive në peshoret e dy subjekteve. Pak kohë më pas, pranë këtyre subjekteve ka mbërritur një tjetër inspektor, i cili u ka thënë pronarëve të furrës së bukës dhe marketit se kjo zonë mbulohet prej tij. Pas analizës që u është bërë pullave që tregojnë kalibrimin e matësve të peshës, rezultoi se ato kanë qenë të falsifikuara, ndërsa tarifa e paguar për to ka përfunduar në xhepat e inspektorëve të dërguar me urdhër. Ky është vetëm një nga rastet e evidentuara, pasi hetimet dhe përgjimet kanë treguar se tetë të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer një sërë kontrollesh fiktive, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, të cilat varionin nga 30 mijë-60 mijë lekë të reja. Për prokurorinë nuk ka qenë i vështirë pranimi i kërkesës nga gjykata për caktimin e masës “arrest me burg” ndaj të dyshuarve, pasi provat e mbledhura kanë qenë bindëse.
Përgjimet telefonike
Një nga rastet e evidentuara nga përgjimet telefonike ka të bëjë me zv/drejtorin e Përgjithshëm të Metrologjisë, Roland Çelmeta, i cili i telefonon njërit prej inspektorëve të arrestuar, duke i kërkuar të ushtrojë kontroll pranë një magazine në periferi të kryeqytetit. “Turruni për kontroll”, - mësohet të këtë urdhëruar Çelmeta njërin prej inspektorëve, me të cilin sipas hetimit, ka shkuar të nesërmen sërish në vendin e parashikuar. Tetë personat e arrestuar dhe një i nëntë i shpallur në kërkim u kanë dhënë materiale të bollshme prokurorëve, përmes telefonatave të tyre me biznesmenë e tregtarë, të cilët i paralajmëronin për kontrollet e tyre. Hetimet e prokurorisë kanë qenë bindëse për gjykatën, pasi kanë mundur të provojnë se të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer një sërë kontrollesh fiktive, duke certifikuar matës të pakolauduar. Faturat e paguara nga subjektet tregtare për këtë kolaudim, sipas hetimit nuk janë derdhur asnjëherë në arkën e institucionit, por janë përvetësuar nga të arrestuarit. Evidentimi i rasteve të abuzimit dhe rakordimi i faturave, paratë e të cilave dyshohet se janë përfituar nga të arrestuarit, pritet të jenë pjesë e superhetimit që do të zhvillohet për këtë dosje penale. Pasi ka dëgjuar provat e prokurorisë, gjykata ka pranuar të caktojë masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj 9 personave, të gjithë zyrtarë të Drejtorisë së Metrologjisë, përfshi edhe zv/drejtorin e Përgjithshëm. Policia ka mundur të arrestojë 8 prej tyre, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”.
Hetimi
Nisi 6 muaj më pas, pas kallëzimit të Drejtorisë së Metrologjisë për disa kontrolle të paautorizuara në një furrë buke dhe një supermarket. Hetimet zbuluan se pas tyre qëndronin punonjësit e drejtorisë
Përfitimet
Nga hetimet e deritanishme rezulton se grupi i mësipërm përfitonte 30-60 mijë lekë të reja gjatë kontrollit të një biznesi. Megjithatë, faza e dytë e hetimit do të fokusohet tek përllogaritja e dëmeve
Ndëshkimi
Pas hetimeve me metodat speciale, Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar gjykatës të miratojë 9 urdhër-arreste, që nga zv/drejtori i Metrologjisë e deri tek shoferi i institucionit. Tetë urdhër-arreste u ekzekutuan