E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënohet shefi i Komisariatit të Policisë Bulqizë, arrestohet efektivi që guxoi

BULQIZË-Një efektiv i policisë së Bulqizës është ndaluar nga kolegët pasi akuzohet se ka kërcënuar eprorin e tij. Burime nga policia thanë se mbrëmjen e të martës është kërcënuar për shkak të detyrës shefi i Komisariatit të Policisë Bulqizë, Rakip Hoxha. Zyrtarë të lartë të policisë Qarkut Dibër thanë se është arrestuar efektivi i policisë Agron Reçi, pasi mbrëmjen e të martës është përfshirë në një konflikt fizik më numrin një të policisë Bulqizë, Rakip Hoxha dhe kolegë të tij. Drejtues të Policisë pranojnë se Reçi është vënë në pranga për shpërdorim detyre dhe kundërshtim të eprorëve, por nuk thonë cilat janë shkaqet e arrestimit të tij në flagrancë. Ndërsa mësohet se i arrestuari ka reaguar keq kur i është kërkuar llogari për shkeljen e një urdhri të eprorit të tij. Zyrtarë të Drejtorisë Rajonale e pranojnë se kanë vënë në pranga efektivin e policisë, por thonë se ngjarja nuk është zbardhur ende dhe se po hetohet për grumbullimin e fakteve e provave rreth incidentit të ndodhur. Nga ana e tij, shefi i komisariatit të Bulqizës, Rakip Hoxha deklaroi se arrestimi i efektivit të policisë nuk ka lidhje me të dhe se në momentin e arrestimit të Reçit ai ka qenë në Tiranë. “Arrestimi i punonjësit të policisë Agron Reçi nuk lidhet me mua. Unë kam qenë në kryeqytet dhe janë struktura të tjera që prangosin efektivët e policisë”, - deklaroi Hoxha. P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›