E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga bankierit pirat dhe administratorit të firmës

Vlorë Dyshohet se përfituan para me dokumente false

Policia ka vënë në pranga punonjësin e një banke të njohur si edhe administratorin e një shoqërie në Vlorë, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përfituar një sasi të konsiderueshme parash. Burime zyrtare të Policisë së Vlorës, thanë se në bashkëpunim me njësinë Task-Forcë në Prokurorinë e rrethit u finalizua operacioni “Bankieri Pirat”, që çoi në arrestimin në flagrancë të Gentian Hoxhës, 35 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Vlorë, me detyre specialist marketingu pranë BKT Vlorë dhe Fatjon Hoxhës, 23 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, me detyrë administrator i shoqërisë “ADION”. Sipas policisë, këta shtetas dyshohet të kenë konsumuar elementë të veprave penale: “Falsifikim të dokumenteve”; “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”; “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se Gentian Hoxha, duke shpërdoruar detyrën dhe duke falsifikuar një sërë dokumentesh, ka arritur të përfitoje një sasi të konsiderueshme parash, shuma e të cilave nuk është përcaktuar ende. Sasinë e parave të përfituara nga ky aktivitet i kundërligjshëm, Gentiani në bashkëpunim me Fatjonin i kanë investuar në shoqërinë “ADION” Sh.p.k, shoqëri kjo e regjistruar pranë Degës së Tatim-Taksave Vlorë, në emër të shtetasit Fatjon Hoxha, i cili është dhe administrator i kësaj shoqërie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›