Bushati: Vetëm bujqësia 71 milionë euro
Përmbytja në Shkodër del nga faza e parë kritike dhe aktualizohet si çështje e politikës. Sekretari i Këshillit Ekonomik në Partisë Socialiste, Ervin Bushati, ka pasqyruar dje publikisht disa të dhëna ekonomike të cilat vijnë në kundërshtim me ato çfarë qeveria e drejtuar nga Sali Berisha përpiqet të hedhë në opinionin publik. “Qeveria fsheh dëmin real të përmbytjeve masive në Shkodër për bujqësinë, duke na shfaqur vetëm një copëz të faturës financiare, ashtu si fsheh koston e vërtetë ekonomike të kësaj tragjedie me përmasa kombëtare. Dëmi i shkaktuar i kalon të dhënat e ofruara nga qeveria: thjesht si ara, magazina, bagëti, prodhime bujqësore dhe shtëpi të rrënuara. Përllogaritje paraprake minimale, të dëmit mbi kapitalin privat të bujqve dhe fermerëve të zonës deri sot, tregon se fatura financiare – dhe vetëm në rritje me çdo orë që kalon pas 3 ditëve të para të tokës nën ujë - është 71 milionë euro”, u shpreh Bushati. Ai ka bërë një llogaritje të thjeshtë sipas të cilave dëmi në bujqësi faturohet përmes shumëzimit të sipërfaqes së përmbytur me koston për çdo hektar që është 5000 euro. 71 milionë euro dëme vetëm në bujqësi, shifër e cila sipas tij është e paqëndrueshme dhe pritet të rritet. Por problemi më i rëndë sipas përfaqësuesit socialist është rrënimi i Ultësirës Veriperëndimore nga një burim ekonomik të dorës së parë drejt një kënetëzimi periodik, i cili ka nisur të përvijohet si perspektivë e qëndrueshme e gjeografisë së kësaj zone. “Fusha të tëra janë sot pre e ujit dhe një kënetë e pamasë zgjerohet aty ku deri dje ishin tokat me të begata nga Shkumbini e lart. Kënetat dhe moçalet po përparojnë me një hap të sigurt për vit, në mungesë të përgjegjësisë qeverisëse në infrastrukturë, masa, fonde dhe parandalim si i takon një shteti në vitin 2010”, tha sekretari i Këshillit Ekonomik të PS. Një akuzë e cila parashtron një realitet tjetër nga ai i qeverisë, për të cilën emergjenca është ndoshta e vetmja fazë për ndërhyrje.