E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohet uji, banorët kërkojnë dëmshpërblim

Brenda në qytet nis rikthimi në banesa. Problem ende në fshatrat e fushës së Nënshkodrës

Uji tërhiqet ndjeshëm nga Shkodra, banorët rikthehen duke u përballuar me dëmtimet e shtëpive dhe bizneseve të tyre. Pas dy javësh tmerri dhe ankthi, qyteti ka rinisur jetën. Por tashmë shkodranët duhet të përballen me dëmet materiale që ka shkaktuar furia e ujit. Qindra banesa dhe aktivitetet private janë dëmtuar plotësisht. Orenditë shtëpiake dhe shumë pajisje të lokaleve dhe dyqaneve janë shkatërruar. Në dhjetëra apartamente, kanë nisur të shfaqen çarjet e para të mureve nga qëndrimi i gjatë në ujë. Në disa të tjera, ka pasur edhe shembje, ndërkaq që uji nga lagështia i ka shndërruar në të pabanueshme. Tani banorët e Shkodrës i kanë të gjitha shpresat te dëmshpërblimi. Fatmir Hoxha, një banor i lagjes “Salo Halili” të Shkodrës, i cili sapo është kthyer në dyqanin dhe shtëpinë e tij tregon për “Shqip” se shtëpia dhe lokali i tij janë shkatërruar plotësisht. Ai ka frikë të jetojë në shtëpi, pasi uji ka depërtuar në themelet dhe muret e godinës. “Përmbytja e ka bërë shtëpinë të pabanueshme, pasi muret janë çarë dhe brenda në shtëpi është krijuar një gropë e thellë. Ka dalë uji nga nëntoka dhe presioni i ujit ka çarë dyshemenë, ndërkaq janë dëmtuar kanalizimet e ujërave të bardha dhe atyre të zeza. Ndërkohë që janë prishur të gjitha pajisjet e dyqanit. Një jetë e tërë është shkatërruar, nuk na ka mbetur asgjë. Ndaj i kërkojmë shtetin të vijë sa më parë të verifikojë dëmet dhe të rinisim jetën normale”, apelon banori. Më në brendësi të lagjes “Salo Halili” banorët raportojnë dëme mjaft të mëdha. Gëzim Daija, një tjetër banor i kësaj zone, rrëfen për gazetën jo vetëm për dëmet, por dhe për problemet shëndetësore që i janë shkaktuar nga përmbytja. “Sot është larguar plotësisht uji nga banesa dhe sapo jemi futur brenda kemi gjetur një katastrofë të vërtetë. Gjithçka ishte shkatërruar. Mobiliet, orenditë elektro-shtëpiake, madje dhe muret e shtëpisë kanë filluar të shemben. Kjo shtëpi ku unë kam banuar dikur, sot është e pabanueshme. Kam nisur të dezinfektoj banesën me klor nga frika e epidemive. Ndërkohë që dy pjesëtarë të familjes, i ka shtruar në spital sepse kishin probleme në mushkri. U bëj thirrje strukturave shtetërore që të vijnë sa më parë në terren për të verifikuar dëmet, pasi nuk na ka ngelur asgjë. Gjithë jeta jonë, sakrifica e dekadave të tëra, është bërë zero”, thotë ai.

Situata

Ndërkaq, të dhënat më të fundit të shtabit të emergjencave civile, tregojnë për një përmirësim të situatës së përmbytjeve. Kështu nga 11820 ha tokë nën ujë që figuronin ditën e shtunë, dje kanë qenë 9440 ha. Ndërkohë që numri i shtëpive të përmbytura dhe atyre në prezencë uji vijon të mbetet i njëjtë me një ditë më parë: 4660 shtëpi janë plotësisht të përmbytura dhe 3493 të tjera kanë prezencë uji. Situata më optimiste duket në qytetin e Shkodrës, ku gjatë ditës së djeshme është bërë i mundur qarkullimi i autoveturave në pjesën më të madhe të lagjeve të përmbytura. Sakaq, shkarkimet nga Vau i Dejës kanë pësuar rënie. Dje janë shkarkuar 1030 m3 ujë në sek, gjë që tregon se janë 200 m3 ujë më pak se ditën e shtunë.

Përmirësimi i situatës, ka bërë që rreth 3000 mijë persona të evakuuar, të rikthehen në banesat e tyre, kryesisht në lagjet e qytetit të Shkodrës dhe fshatin Kuç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›