E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasje misterioze e një bariu 18 vjeçar në Spaç

 

Fatmir Pjetri ka qenë duke kullotur bagëtitë, në momentin kur është qëlluar. Dyshohet një hasmëri e vjetër

MIRDITË- Një bari 18- vjeçar është vrarë në mënyrë misterioze në orët e pasdites së djeshme në pyjet e fshatit Spaç të komunës së Oroshit. Ngjarja e rëndë ndodhi kur 18- vjeçari Fatmir Pjetri, banor i fshatit Kodër Spaç po kulloste bagëtitë në vendin e quajtur Qershizë të këtij fshati, ndërsa është qëlluar krejt papritur me automatik nga një drejtim ende i paditur. Në momentin e të shtënës, ka qenë afro 10 metër nga Fatmiri dhe bashkëmoshatari i tij, Zef Prenga, banor i të njëjtit fshat, me të cilin kullosnin tufat e bagëtive, që ka dëgjuar krismën e një arme dhe më pas ka parë të shtrirë përdhe Fatmirin. Ai ka rrëfyer se menjëherë i është afruar bashkëmoshatarit me të cilin ruante tufat e bagëtive për të parë se ç’ka ndodhur, por në ato momente Fatmir Pjetri ka mbyllur sytë përgjithnjë. Pas skenës që ka parë, duke mos patur mjete komunikimi në një zonë kaq të largët ai është nisur për në fshat për të lajmëruar njerëzit e afërt se çfarë kishte ndodhur lart në pyll, ku dhe ishte vrarë bashkëmoshatari i tij. Më pas është njoftuar dhe policia, e cila ka mbërritur përmes një rruge të vështirë në orët e vona tek vendi i ngjarjes në lagjen Qershizë të këtij fshati. Menjëherë është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes dhe po hetohen gjithë rrethanat e kësaj vrasjeje nga një dorë e padukshme. Familja Pjetri e kishte djalë të vetëm Fatmirin dhe askush nuk di të thotë se cila ka qenë arsyeja e vërtetë e vrasjes së birit të tyre. Ndërkaq mësohet se policia po heton mbi pistën e mundshme të një hasmërie të para katër viteve, që ka lidhje me këtë familje. Grupi i ekspertëve të policisë po punojnë deri në orët e vona në një terren shumë të largët malor për të zbardhur të vërtetën e kësaj vrasjeje misterioze. Nga burimet policore mësohet se Fatmir Pjetri është qëlluar me armë automatike dhe vetëm një plumb i rënë pas koke, i ka sjellë vdekjen e menjëhershme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›