E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet heqja e imunitetit të Fatmir Mediut

 

TIRANË- Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për tragjedinë e Gërdecit, edhe pse kjo e fundit u shoqërua me 26 viktima dhe mbi 300 të plagosur. I dorëhequr nga posti i ministrit pikërisht për shkak të kësaj ngjarjeje mjaft të rëndë, Mediu

TIRANË- Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi për tragjedinë e Gërdecit, edhe pse kjo e fundit u shoqërua me 26 viktima dhe mbi 300 të plagosur. I dorëhequr nga posti i ministrit pikërisht për shkak të kësaj ngjarjeje mjaft të rëndë, Mediu, për më shumë se dy orë është përpjekur të bindë dje Këshillin e Imunitetit në Kuvendin e Shqipërisë se akuzat e bëra nga Kryeprokurorja ndaj tij, nuk kanë bazë vërtetësie. Mediu nuk tha asgjë të re dje, as kur i vuri kapakun fjalës së tij, duke cilësuar kërkesën e Prokurorisë si tendencioze dhe të njëanshme nga ana e kryeprokurores Ina Rama. “Në gjykimin e tim, kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetin dhe procedim penal ndaj meje, të bën të dyshosh me baza se është tendencioze dhe jo e trajtuar me baza jo profesionale”,- u shpreh Mediu në fjalën e vet. Ndërkohë që ka hedhur poshtë përgjegjësitë personale, ai ka akuzuar forcat ushtarake, dhe në mënyrë të veçantë Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë për mosveprim dhe shmangie nga zbatimi i ligjit. “Çdo veprim i imi si ministër në këtë proces, është produkt i propozimeve të ardhura nga strukturat ushtarake dhe civile”,- u shpreh Mediu. Ai ka deklaruar se edhe Vendimi i Këshillit të Ministrave me Numër 138, mbi të cilin ka filluar aktiviteti në Gërdec është përgatitur nga strukturat ushtarake, duke përcaktuar dhe modalitetet sesi do të bëhej demontimi i armëve. “Në këtë vendim caktohet gjithashtu se pala që do të lidhë marrëdhëniet është MEICO dhe se përcaktohet se forcat e armatosura janë përgjegjësit e drejtpërdrejtë për garantimin e sigurisë në këtë proces. Demontimi është proces ushtarak dhe nuk është proces civil”, - theksoi Mediu duke hedhur poshtë akuzën e Prokurorisë për shmangie të Forcave të Armatosura nga vendimmarrja. Ai ka argumentuar se Forcat e Armatosura të Ushtrisë, jo vetëm që nuk janë shmangur nga vendimmarrja, por ato nuk kanë zbatuar as detyrat e ngarkuara jo vetëm nga ministri, por edhe nga ligjet dhe rregulloret me të cilat funksionon Ushtria. Sipas Mediut, ishte detyrë e Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandës së Forcave të Bashkuara, ndjekja, kontrolli dhe zbatimi i kontratës së lidhur me kompaninë amerikane për demontim. “Transporti ka qenë ditor dhe Qendra Operacionale pranë Shtabit të Përgjithshëm bënë një raport ditor të klasifikuar për çdo lëvizje që ndodh në Forcat e Armatosura. Në këtë raport janë pasqyruar hyrjet e municionit drejt Gërdecit. Këto janë informacione të klasifikuara që i shkojnë autoriteteve më të larta ushtarake dhe autoriteteve sipas linjës së komandimit. Autoritetet që marrin këtë informacion janë Drejtori i Shtabit, Zëvendësshefi i Shtabit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ministri i Mbrojtjes, Zëvendësministri dhe Presidenti i Republikës”, - u shpreh Mediu. Gjithashtu Mediu ka argumentuar se edhe akuza tjetër e prokurorisë për favorizim të qëllimshëm në përzgjedhjen e kompanisë amerikane “SAC”, nuk qëndron. Për këtë ai është shprehur se takimi i vetëm që ka zhvilluar me përfaqësuesin e kësaj kompanie Patrik Henri në zyrën vet, nuk mund të vërtetojë akuzën e prokurorisë. Ai ka mohuar që të ketë pasur lidhje gjithashtu edhe me presidentin e firmës shqiptare “Albademil”, Mihail Deliorgji. “Kjo kërkesë, më së pakti, nuk është e bazuar në prova dhe e mbështetur në ligj, si dhe fakte mbi të cilat prokuroria krijon dyshime, sipas saj, të bazuara në prova, që unë kam shpërdoruar detyrën si ministër i Mbrojtjes. Të gjitha ato, nuk qëndrojnë”, - u shpreh Mediu. Edhe anëtarët e Këshillit të Rregullores, kryesisht të mazhorancës, kanë zhvilluar dje pyetje sipërfaqësore, pa marrë parasysh në fakt përgjegjësinë kryesore që ata kanë si deputetë, për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së kësaj tragjedie për të cilën u fol shumë jo vetëm në median shqiptare, por edhe në atë ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›