E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga hajdutëve të Golemit, plaçkisnin pushuesit

KAVAJË - Policia e Kavajës në bashkëpunim me Drejtorisë e Qarkut të Tiranës kanë arrestuar një grp kriminal që ishte kthyer në makthin e turistëve dhe pronarëve të lokaleve. Burime nga policia thanë se janë arrestuar Alban Gosa, 22 vjeç, Klajdi Hasani, 25 vjeç, i dënuar më parë për "tentativë vrasje" si dhe Armand Mustafa, 23 vjeç, nga Rrogozhina, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri -tjetërin, në kohë dhe vende të ndryshme, në Kavajë dhe përreth saj, kanë ushtruar aktivitet kriminal në drejtim të vjedhjes së lokaleve të tregtisë, banesave.


Policia tha se ka dokumentuar me prova dhe fakte disa krime të realizuara nga ky grup, ndër to, vjedhjen përgjatë këtij sezoni veror të një lokali në Golem si dhe grabitjen me armë të një emigranti, i cili sapo ishte kthyer nga Greqia.


Gjithashtu, mbështetur në informacionet e siguruara, policia ka dyshime të forta se ata janë autorë në disa vjedhje banesash, kryesisht në zonën e plazhit në Golem.


Gjatë operacionit policor atyre iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale edhe disa sende të vjedhura si aparate fotografike dhe digjitale, një kamera si dhe dy makina. Ndërkohë, çështja ndaj tyre i kaloi për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Kavajë, për veprat penale të "vjedhjes" dhe "vjedhjes me armë" në bashkëpunim.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›