Makina përplaset me kamionin, një i vdekur, dy të plagosur
LIBRAZHD - Përplaset me kamionin gjen vdekjen drejtuesi i Opelit. Aksidenti i rëndë u regjistrua rreth orës 15.30 në vendin e quajtur Qukës përgjatë aksit rrugor Librazhd-Prrenjas. Durim Besini ka qenë duke drejtuar mjetin tip Opel me targa TR 4437 K kur është përplasur me një kamion të tonazhit të rëndë me targa KU 491 CH dhe si pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Burime nga policia bëjnë të ditur se kamioni drejtohej nga shtetasi Mamcio Dimitroski me banim në Kumanovë. Ai është shoqëruar në komisariat për të dhënë sqarime mbi aksidentin. Ndërkohë në mjetin tip Opel kanë qenë edhe dy pasagjerë të cilët kanë marrë dëmtime nga përplasja. Dy të dëmtuarit janë dërguar në spitalin e Librazhdit ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur specialistë të aksidenteve dhe një grup hetimor. Nga të dhënat e para dyshohet një parakalim i gabuar, gjithsesi ende nuk ka një deklarim zyrtar nga policia. Vetëm një natë më parë, një i ri ka humbur jetën teksa udhëtonte me mjetin e tij në aksin nacional Peqin-Elbasan.