E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafik droge për të larë kredinë

MASA


Gjykata lë në burg deri në fund të hetimit Kristaq Mushën e kapur me 4.5 kile heroinë


TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, me kërkesë të organit të akuzës vendosi vlerësimin të ligjshëm të arrestit në flagrancë të Kristaq Mushës dhe caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve.


Shkak për caktimin e kësaj mase sigurie është bërë arrestimi i tij në flagrancë tre ditë më parë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, pasi në makinën me të cilën po udhëtonte i janë gjetur dhe sekuestruar 4 kg e 650 gram heroinë.


Vetë i arrestuari nuk ka preferuar të flasë para gjykatës për drogën e sekuestruar, duke i dhënë të drejtën avokates mbrojtëse për të kërkuar një masë më të butë sigurie.


Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje menjëherë pas arrestimit, 42 vjeçari me shtetësi e greke, Kristaq Musha, ka pranuar se po kryente rolin e transportuesit kundrejt një pagese prej 4 mijë eurove.


Shumë kjo e cila do të përdorej nga i arrestuari, sipas burimeve nga akuza, për të shlyer kredinë që kishte marrë në një nga filialet e bankave në qytetin e Prevezës në shtetin Grek, ku jetonte prej vitesh bashkë me familjen.


Sipas këtyre burimeve mësohet se 42- vjeçari nuk ka dhënë asnjë emër apo të dhëna për personat e dyshuar si bashkëpunëtorë, duke u mjaftuar me fjalët se "nuk i njoh personat që më kanë dhënë drogën për transport".


Ndërkaq, burimet nga akuza, konfirmuan se po punohet intensivisht në bashkëpunim me policinë për të zbardhur të gjitha lëvizjet e tij të kryera gjatë pushimit disa ditor në Shqipëri, që nga takimet me persona të ndryshëm e deri te bisedat telefonike që ka kryer brenda territorit shqiptar.


Sipas akuzës, ka qenë data 4 gusht pas mesnate, aty rreth orës 01:00 kur në një nga rajonet e policisë është njoftuar me telefon nga persona të paidentifikuar se makina e tipit "Volsvagen Pasat" me targa greke "ATE 75 07" po transportonte drogë.


Ka mjaftuar kjo telefonatë anonime, që efektivët e policisë kufitare të Kakavijës të ushtrojnë kontroll në makinën e drejtuar nga shtetasi tashmë i arrestuar Kristaq Arqile Musha, 42 vjeç, i lindur në fshatin Portez të Fierit, i cili po tentonte të kalonte pikën kufitare të Kakavijës pas disa ditë pushim në Shqipëri.


Nga kontrolli i makinës, konkretisht poshtë kofanos së mjetit në pjesën plastike poshtë fshirëseve të xhamave të makinës policia ka konstatuar 9 pako të mbështjella me letër natriban ngjyrë kafe me një mbishkrim përsipër në të dyja krahët NAZIF, që rezultoi se është lëndë narkotike e llojit heroinë dhe peshonte në total 4 kg e 650 gram. Gjithashtu i janë sekuestruar 2 aparate celulare dhe një kartë e telefonive lëvizëse greke dhe makinën ku u gjet droga.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›