Pranga për katër trafikantë të prostitucionit

Policia e Kosovës ka identifikuar dy viktima të trafikimit me qenie njerëzore dhe ka arrestuar katër të dyshuar.
Bazuar në informatën që kishin pranuar hetuesit policor nga Drejtoria për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore, sektori në Pejë gjatë një operacioni policor të realizuar dje rreth orës 13:00 ka arritur që të identifikojë dy viktima të trafikimit dhe të arrestojë katër persona të dyshuar nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Trafikim me njerëz, Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit, Keqpërdorimi seksual i personave nen moshën 16 vjet”.
“Sipas informacioneve të mbledhura pas një pune operative hetimore rreth dy javore në terren hetuesit policor kanë arritur të lokalizojnë vendqëndrimin e viktimave të moshës 15 respektivisht 16 vjeç të cilat ishin mbajtur nën kontroll të plotë nga personat e dyshuar të cilët në bashkëveprim i kanë shfrytëzuar seksualisht viktimat”, bënë të ditur zyra për informim e Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë, të dyshuarit fillimisht viktimat i kishin strehuar në një lokal hotelier, pastaj i kishin strehuar edhe në dy banesa private kështu duke i ndërruar lokacionet kohë pas kohe.
Lidhur me këtë rast është njoftuar mbrojtësi i viktimave dhe në prezencë të tij dhe punëtorit të qendrës për punë sociale viktimat janë intervistuar dhe të njëjtat janë dërguar në shtëpinë e sigurt.
Personat e arrestuar janë :
Gj. LL. 1984 M/K/SH
M. K. 1982 M/K/SH
P. K. 1991 M/K/SH
L. I. 1994 M/K/SH
Të dyshuarve me urdhër të prokurorit ju është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme. /Indeksonline/