E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga për korrupsion drejtorit të stadiumit, u denoncua nga biznesmeni

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 16-08-2011 14:56

Tiranë Gazmend Sallaku, drejtor i stadiumit “Qemal Stafa”, përfundoi dje në pranga me akuzën e korrupsionit pasiv. Shkak është bërë dhënia me qira e një sipërfaqeje prej 80 metrash katrorë në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, për të cilin Sallaku akuzohet se ka marrë 150 mijë lekë të reja ryshfet. Policia e Shtetit bëri me dije se drejtori i stadiumit “Qemal Stafa” është arrestuar në kuadër të operacionit “Taksa e qirasë”, i finalizuar me pjesëmarrjen e disa departamenteve të Policisë së Shtetit dhe Task-Forcës të Prokurorisë së Tiranës.

“Arrestimi i Gazmend Sallakut u krye rreth orës 16:00”, - tha dje zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Klejda Plangarica. Burime të grupit hetimor i thanë “MAPO”-s se arrestimi i drejtorit të stadiumit “Qemal Stafa” erdhi pas denoncimit nga një biznesmen kryeqytetas, i cili pretendonte se Sallaku i kishte kërkuar 150 mijë lekë të reja ryshfet. “Unë mora me qira një ambient 80 metra katrorë në Pallatin e Sportit për dyqan kancelarie dhe kisha kryer investimin. Pak ditë më parë, Sallaku më ka kërkuar shumën e mësipërme, ose në të kundërt do të më prishte investimin”,-mësohet të ketë qenë denoncimi i biznesmenit me inicialet P.L. në polici. Padia e denoncuesit është verifikuar nga grupi hetimor, i cili ka mundur të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale 150 mijë lekët e ryshfetit si dhe kontratën e qirasë provizore të datës 15 gusht 2011, me një afat 1-vjeçar. Sipas hetimeve të deritanishme, pak kohë më parë, Sallaku kishte rënë dakord me biznesmenin që ky i fundit të niste punimet në ambientet e pallatit të sportit “Asllan Rusi” dhe se më pas do të flisnin për pagesën e qirasë. Pasi kishte marrë miratimin e Sallakut, biznesmeni kishte nisur punimet duke rregulluar dhe përshtatur këtë ambient në fjalë për biznesin e tij në fushën e kancelarisë. E ndërsa biznesi ishte gati për të filluar punën, drejtori i stadiumit “Qemal Stafa” i kishte kërkuar këtij të fundit që të jepte sasinë e parave prej 150 mijë lekësh, ose në të kundërt do t’i prishej investimi i bërë, i cili sipas P.L. kapte vlerën e 2 milionë lekëve të reja. I ndodhur përpara kësaj situate, biznesmeni në fjalë ka denoncuar Sallakun në polici. Sipas deklarimeve të tij, ky i fundit e kishte kërcënuar se në rast se nuk i jepte shumën prej 150 mijë lekësh, do t’i shkatërronte të gjithë investimin që kishte bërë, për të cilin ata kishin rënë dakord kohë më parë që do të kryheshin punimet. Nga ana e saj, policia nisi menjëherë punën për të ndërtuar “kurthin” e arrestimit të Gazmend Sallakut dhe gjatë ditës së djeshme u bë i mundur arrestimi i tij, së bashku me kontratën e qirasë provizore që mbante datën e djeshme dhe ishte me një afat njëvjeçar. Pas arrestimit, ai është dërguar në mjediset e drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje nga agjentët, lidhur me pretendimet e biznesmenit. Hetimet e mëtejshme i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të ndjekë në gjykatë çështjen e drejtorit në pranga të stadiumit “Qemal Stafa”.

16:00 Ishte ora kur drejtori i stadiumit “Qemal Stafa”, Gazmend Sallaku, provoi në duar ftohtësinë e prangave të policisë. Arrestimi erdhi pas denoncimit të një biznesmeni, ndërsa Sallaku është izoluar në drejtorinë e policisë

150 Mijë lekë të reja akuzohet se ka përfituar Gazmend Sallaku nga dhënia me qira e një ambienti 80 m2 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Pasi ka kërkuar paratë, Sallaku ka kërcënuar me prishjen e kontratës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›