E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bordi: Çështja Sallaku? Gjithçka në dorë të ligjit

Anëtarët e bordit që administron stadiumin, Vasil Bici, Indrit Fortuzi dhe Viron Bezhani komentojnë arrestimin e Gazmend Sallakut. “Nuk jemi në dijeni të çështjes, bordi s’është mbledhur prej muajsh”

Arrestimi i djeshëm i drejtorit të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, Gazmend Sallaku, ka sjellë jo pak shqetësim në radhët e bordit të sh.a.-së që administron. Në fakt, të tre anëtarët e këtij Bordi, Vasil Bici, Indrit Fortuzi dhe Viron Bezhani janë shprehur të habitur pas kësaj ngjarjeje, por kanë pasur thuajse të njëjtën linjë: gjithçka është në dorë të ligjit. “Në të vërtetë është një lajm që po ma thoni ju dhe nuk jam në dijeni të çështjes – është shprehur në linjë telefonike drejtori i sporteve në MTKRS, Vasil Bici . Nuk mund të shprehem pa u njohur me dinamikën e ngjarjeve, por mund të them vetëm se gjithçka është në dorë të ligjit. Nuk mund të them asgjë më shumë sesa kaq, pasi unë kam edhe dy kolegë të tjerë dhe pa biseduar me ta, nuk mund të jap asnjë detaj më shumë.” Sikundër Bici, edhe Indrit Fortuzi e Viron Bezhani, janë shprehur të habitur me këtë ndodhi, por nuk mund të jepnin detaje konkrete, pasi bordi i sh.a. që administron stadiumin nuk është mbledhur prej muajsh, që kur kryetari Fortuzi dha dorëheqjen për t’u angazhuar në fushatën politike për postin e kryetarit të minibashkisë numër 9. Natyrisht, për ish-lojtarin e Dinamos dhe përfaqësueses U-21, Sallaku, ky arrest vjen pasi ka përfituar në mënyrë të paligjshme një shumë parash, 150 mijë lekë të reja, në këmbim të një ambienti pranë pallatit të sporteve “Asllan Rusi”. Gazmend Sallaku u emërua në këtë detyrë pas shkarkimit të Perikli Dhalesit, pas fikjes së projektorëve të stadiumit në pushimin e ndeshjes Gramozi-Real Madrid. 41-vjeçari Sallaku e mori këtë post në fillim të vitit 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›