E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terror në bankë, tri maksa u grabisin 1.3 milionë lekë klientëve

Tre presona të armatosur kanë kërcënuar punonjësit e bankës BKT, ndërsa kanë grabitur tre klientët. Më pas ata janë larguar me makinë dhe ende nuk janë prangosur nga policia

Terrori dhe paniku kanë përfshirë qendrën e Vlorës në mes të ditës, kur persona të armatosur grabitën mes të shtënave të armëve filialin e një banke. Për afro 10 minuta punonjësit e bankës në Sheshin e Flamurit, klientët si dhe kalimtarët në rrugë kanë mbetur të terrorizuar. Tre persona të armatosur kanë hyrë në filialin e bankës BKT në qytetin e Vlorës dhe kanë grabitur nën kërcënimin e armëve tre nga klientët që ndodheshin në atë moment në bankë. Sipas dëshmive të para që janë marrë nga policia e qytetit bregdetar, mësohet se shuma që kanë rrëmbyer maskat ka qenë afërsisht 1.3 milionë lekë. Sipas burimeve të policisë autorët kanë përdorur dy makina të cilat i kanë braktisur për shkak të trafikut në rrugë.

Grabitja

Ka qenë ora 11.30 e paradites së djeshme kur tre persona me maska kanë hyrë në ambientet e BKT-së në qendër të Vlorës dhe pikërisht afër Sheshit të Flamurit. Të tre personat pasi kanë dalë nga një automjet tip mercedes ngjyrë vishnje pa targa kanë neutralizuar rojen private të bankës, duke e rrahur dhe duke i marrë dhe armën tip automatik. Pasi kanë rrahur rojen, ata të armatosur dhe me maska kanë hyrë në ambientet e bankës duke qëlluar disa herë në ajër dhe duke i kërkuar personelit të bankës të nxjerrë paratë. Ndërkohë në ato momente ambientet e bankës kanë qenë të populluara për kryerje veprimesh nga shumë qytetarë. Grabitësit nuk kanë arritur të prekin arkën e bankës, ndërsa kanë rrëmbyer çantat e tri prej grave që ndodheshin në atë moment në sportelin e bankës për të kryer veprimet bankare. Kështu ata kanë rrëmbyer çantën e njërës nga gratë që prisnin në radhë, e cila kishte në çantën e saj 1 milionë lekë të cilat do t’i depozitonte. Ndërsa “viktima” tjetër e dy grabitësve ka qenë ekonomistja e një firme ndërtimi, e cila ishte duke bërë një derdhje prej 130 mijë lekësh të reja, ndërsa sasia tjetër e lekëve ka qenë në çantën e një personi tjetër. Menjëherë autorët janë larguar me automjetin tip Mercedes-Benz pa targa, ngjyrë vishnje, në drejtim të hyrjes së qytetit. Në momentin që ata kanë qenë duke dalë nga banka kanë hasur me një prej makinave të sigurisë që transportonte lekët e bankës dhe mes punonjësve të sigurisë dhe maskave ka pasur shtënie me armë, por që nuk ka sjellë viktima, pasi të dyja palët kanë qëlluar në ajër.

Arratia

Për fat të mirë, nga këto të shtëna nuk ka pasur të plagosur, pasi dhe vetë vendndodhja e bankës si dhe orari ka qenë i populluar me shumë qytetarë. Pas 20 minutash polica ka gjetur dhe automjetin pa targa në hyrje të qytetit, ku grabitësit kanë braktisur makinën dhe janë larguar në drejtim të pa ditur. Sipas informacioneve të uniformave blu, mësohet se në vendin e quajtur “Rruga e Re”, përpara bankës Raifeissen, nën ndjekjen e policisë autorët e grabitjes kanë braktisur automjetin dhe janë larguar në drejtim të kodrave të qytetit. Në makinën e cila ka pasur dhe xham të thyer atë të pasmin ku grabitësit kanë qëlluar duke u larguar janë gjetur dhe disa shuma parash të cilat nuk kanë mundur t’i marrin pasi e kanë braktisur. Policia po punon për gjetjen e autorëve si dhe për zbardhjen e ngjarjes.

Dëshmia: Si më rrëmbyen nën

kërcënimin e armëve 1 milion lekë

Njëra prej viktimave të grabitjes së djeshme në mes të qytetit tregon se asaj i kishin grabitur 1 milion lekë

Një emigrante bashkë me dy fëmijët, që po hapte një llogari bankare, ka shpëtuar për pak nga vrasja, teksa grabitësit e kanë qëlluar pranë këmbëve me armë dhe i kanë marrë shumën prej 1 milion lekësh të rinj. Gruaja, e cila ishte preh e kësaj grabitjeje, ka pohuar se ka qenë në bankë së bashku me dy fëmijët, tregon e traumatizuar dhe duke qarë sesi grabitësit i kishin marrë 1 milion lekë, të cilat do të depozitonte në këtë bankë. Ajo tregon duke qare se si grabitësit qëllonin në ajër në bankë dhe se dhe dy fëmijët e saj janë tmerruar nga të shtënat nga grabitësit në ambientet e bankës. Pasi kanë marrë çtë mundnin, grabitësit kanë dalë nga banka, kanë filluar të shtien në ajër me armë dhe kanë hipur në makinën e cila i priste jashtë bankës.

A i patë personat që ju rrëmbyen çantën?

Nuk i pashë fare kur ishin futur në bankë, pasi isha duke pritur në radhë. Dy më erdhën dhe më rrëmbyen çantën nga dora, ku mbaja dhe paratë.

Sa lekë ju morën?

Na morën 10 milionë lekë të vjetër. Ishim ulur të dy me burrin. Por unë nuk e di se çfarë shteti është që nuk na mbron. Punojmë për një shtëpi. Nuk ka siguri dhe fëmijët ishin në mes të luftës. Pasi ata vazhdonin të qëllonin.

Qëlluan brenda në bankë?

Qëlluan dhe aty, u tremba më shumë dhe pata frikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›