Pranga, tentuan të vjedhin me dhunë adoleshentin
Vjedhjet me dhunë dhe shkatërrimi i pronave ka shënuar tre raste gjatë ditës së djeshme në Tiranë. Dy persona kanë tentuar të vjedhin njërin me dhunë, ndërsa persona të paidentifikuar kanë thyer xhamat e dy makinave, pas konflikteve me poseduesit e tyre. Burimet policore të kryeqytetit thanë se policia ka arrestuar dy nga hajdutët e dhunshëm, ndërkohë që po punon për zbardhjen e dy ngjarjeve të tjera. Sipas të dhënave, dy ditë më parë, u bë arrestimi i shtetasve Liridon Frroku, 18 vjeç, lindur në Laç dhe banues në rrugën "Njazi Meka", i dënuar më parë për vjedhje dhe Ervin Peçi, po 18 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në rrugën "Arben Broci‘. Policia shpjegoi se arrestimi i tyre u bë, pasi dy ditë më parë, rreth orës 15:00, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar t‘i vjedhin me dhunë telefonin celular Erald Ukës. Ky i fundit është përleshur me hajdutët, ndërkohë që ka telefonuar policinë. Në një kohë të shkurtër policia ka bërë identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Veç këtij rasti, policia shtoi se në orën 15:30, në rrugën "Mine Peza", është dëmtuar me gurë, xhami i përparmë i mjetit tip "Benz 200", me targa TR4896G, në pronësi të Jorgo Qyrës. Policia tha se ka kryer veprimet dhe ka rezultuar se autor është Dashamir Ndoja, i cili do të ndiqet penalisht për shkatërrim të pronës. Ndërsa në mbrëmje, rreth orës 21:00, është dëmtuar një tjetër mjet. Në rrugën "Komuna e Parisit", kullat "Hauai", janë dëmtuar dhe thyer xhamat e mjetit tip "Opel Korsa", me targa TR6293M, në pronësi të Veneranda Mihasit, lindur dhe banues në rrugën "Komuna e Parisit". Policia tha se u kryen veprimet procedurale, ku rezultoi se autor është ish-bashkëshorti Soni Mihasi. Policia tha se materialet e tre rasteve janë dërguar në prokurori për ndjekje të mëtejshme.