E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Amnistia fiskale", KLSH s‘kishte dijeni për vendimin e qeverisë

Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni kushtetues që monitoron çdo veprim ligjor të qeverisë, nuk ishte në dijeni të vendimit për "amnistinë fiskale". Falja e një pjese të borxheve që biznesi u kishte tatimeve dhe doganave është marrë si vendim nga ana e Këshillit të Ministrave tre muaj më parë, ndërsa Kuvendi ka votuar pro para një muaji e gjysmë, duke i hapur rrugë një prej lehtësive më të mëdha fiskale në sektorin privat. Edhe pse gjatë periudhës kur qeveria publikoi planin e saj, debatet mes ekspertëve arritën kulmin, ndërsa në media të ndryshme zinte në plan të parë falja e rreth 20 miliardë lekëve, institucioni i KLSH-së këtë fakt nuk e kishte vënë re. Pakujdesia në fjalë është vënë re gjatë raportimit, pesë ditë më parë, të kryetarit të KLSH-së, Robert Çeku, në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Duke folur për situatën në tatime dhe dogana, Çeku shprehu shqetësimin për borxhin e madh të akumuluar gjatë viteve të fundit, që sipas tij, institucionet e fiskut nuk kanë mundësi t‘i mbledhin. "Për këtë çështje propozoj marrjen e masave të menjëhershme, siç është krijimi i "amnistisë fiskale", pasi situata është tepër alarmante", tha Çeku para anëtarëve të Komisionit të Ekonomisë. Këta të fundit, duke qenë se para një muaji e gjysmë e kishin trajtuar çështjen në fjalë, i kujtuan Çekut se projekti i "amnistisë fiskale" është miratuar me kohë, e madje është duke u zbatuar. "Dakord, nuk isha në dijeni", ishte përgjigjja e kreut të KLSH-së. Për sa i përket faljes së borxheve, ligji u jep të drejtën bizneseve që të shlyejnë detyrimet e prapambetura tatimore, pa qenë nevoja të paguajnë gjobat dhe kamatëvonesat.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›