Buxheti 2009, ministria e Financave s‘ka gati projektligjin
Ministria e Financave nuk e ka ende gati projektbuxhetin 2009, edhe pse Kryeministri Berisha kishte deklaruar se miratimi i tij do të kryhet në mesin e muajit shtator. Aktualisht jemi në javën e parë të muajit tetor dhe burime pranë ministrisë shprehen se projektligji i buxhetit të shtetit nuk është bërë ende gati për t‘u dorëzuar në Këshillin e Ministrave. Vetë ministria nuk pranon të bëjë publike shkakun e shtyrjes së buxhetit, por mësohet se deklarata zyrtare e kreut të qeverisë, Sali Berisha, se "buxheti 2009 do të jetë 5,2 miliardë USD", ka detyruar dikasterin e Bodes të rishohë skenarët. Madje as vetë ministri, kur u pyet një javë më parë nga media, nuk preferoi të jepte shifra, duke e bërë akoma e më të mistershme vlerën reale të buxhetit 2009. Megjithatë, duke iu referuar ligjit të ri të buxhetit, miratuar kohët e fundit nga Parlamenti për hartimin e tij janë respektuar të gjitha afatet. Zyrtarë nga ministria shprehen për gazetën se projektligji për shpenzimet e vitit 2009 do të shkojë për miratim në qeveri në mesin e muajit tetor, e më pas, në fillim të nëntorit do të jetë gati për diskutime në Kuvendin e Shqipërisë. Pavarësisht asaj çka thotë ligji, deklarata e Kryeministrit në mbledhjen e qeverisë ishte e prerë, madje duke e përsëritur disa herë edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, se buxheti 2009 do të jetë 5,2 miliardë USD dhe se do të jetë gati në shtator. Duket se për të dyja qëndrimet e Kryeministrit, Ministria e Financave nuk ka qenë dakord, pasi si afati, ashtu dhe shifra, me kalimin e kohës dolën të pavërteta. Ajo çka dihet nga buxheti i vitit që vjen është financimi i rrugës Durrës-Kukës, ndaj të cilit është parashikuar një vlerë investimi rreth 30 miliardë lekë.