E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja Shqipëri-Greqi-Itali për TAP nënshkruhet më 13 shkurt

03-02-2013 / Gazeta 55

TAP do të zhvillojë këtë muaj takime publike për prezantimin e projektit

Ministria e Jashtme greke njofton se marrëveshja Shqipëri-Greqi-Itali për gazsjellësin TAP do të nënshkruhet në 13 shkurt, në Athinë. Ky fakt është pasqyruar në mediat greke si dhe në agjencinë e lajmeve Reuters.
Sipas zyrës së Avramopulos-it, lajmi për datën është mësuar pas takimit që ministri i jashtëm grek zhvilloi në Mynih me Ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, Elmar Mammantiarof. Bëhet e ditur se në ceremoninë e nënshkrimit, pas dy javësh, do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Qeverisë së Azerbajxhanit.
Sipas burimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme greke, të cilave iu referohen mediat greke, mbrëmjen e të premtes, ministri Avramopulos ka pasur biseda telefonike me homologun e tij italian, Giulio Tertsa dhe atë të Shqipërisë, Edmond Panariti për të zgjidhur detajet.
Diskutimet do të vazhdojnë mes tre vendeve për tekstin e Marrëveshjes. Ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopulos ndodhet në Mynih, për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë, ku ka pasur kontakte dypalëshe me homologë dhe liderë nga e gjithë bota.
Ndërkohë, në fund të këtij muaji, drejtues dhe ekspertë të gazsjellësit TAP pritet të zhvillojë disa takime të hapura publike për të prezantuar raportin e detajuar me të dhëna mbi ndërtimin e tubacionit të tij në tokën shqiptare.
TAP pasi dorëzoi në janar raportin e detajuar mbi ndikimet në mjedis, ka aplikuar në QKL (Qendra Kombëtare e Licensimit) në Tiranë për të marrë lejen mjedisore, kanë njoftuar burime zyrtare të saj. Gjithashtu, TAP njofton ka nisur publikimin e shprehjes se interesit për të ftuar prodhuesit e çelikut në një tender botëror për blerjen e sasive të mëdha, 400 ton çelik, të nevojshme për ndërtimin e tubacionit. 
Në Shqipëri tubacionet e TAP llogariten me një gjatësi 209 km, duke hyrë nga kufiri grek në Bilisht e për të dalë në bregdetin Adriatik në Seman në Fier. Tubacioni TAP do të transportojë gazin natyror nga Azerbajxhani në Evropë, në mënyrë që të reduktohet varësia nga Rusia për furnizimin me gaz. Kapaciteti fillestar i tubacionit TAP do të jetë 10 miliardë metra kub në vit me synimin për të shkuar deri në 20 miliardë metra kub në vit.
Në takimin e fundit në Davos (Zvicër) TAP ka marrë miratimin nga vendet pritëse Greqi, Itali dhe Zvicër.
Projekti TAP pritet të sjellë gaz nga rajoni i Kaspikut përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe në Itali përmes detit Adriatik e më tej, në Evropën Perëndimore. Aksionerët e projektit TAP janë AXPO (ish EGL) e Zvicrës (42.5 për qind), STATOIL e Norvegjisë (42.5 për qind) dhe E. ON Ruhrgas e Gjermanisë (15 për qind).
Në projekt bashkëpunon edhe kompania italiane e energjisë, “Enel”.  TAP do të shfrytëzojë fushat e mëdha të gazit të Shah Deniz II në Kaspik. Shah Deniz është çelësi i strategjisë së BE për rritjen e sigurisë së vet energjetike, sepse do të bëjë realitet shpresat për një korridor gazi në një prej rajoneve më të pasura të burimeve në botë.
Në qershor konsorciumi Shah Deniz pritet të shpallë fituesin për këtë gazsjellës mes dy grupeve, TAP dhe Nabucco. Nëse fitues i gazsjellësit nga Kaspiku në Europë do të jetë TAP, punimet pritet të nisin në 2015 dhe të përfundojnë në vitin 2017.
Qeveria shqiptare, e interesuar që TAP të jetë fitues dhe të kalojë në Shqipëri ka mbështetur në të gjitha hapat këtë projekt, duke krijuar lehtësitë ligjore dhe infrastrukturore për të. Nga ana tjetër, kalimi i tubacioneve në Shqipëri rrit shanset për ndërtimin e gazsjellësit tjetër nga Shqipëria drejt Kroacisë, IAP (Projekti Jonian Adriatik), çka i jep vendit tonë, pozicion  strategjik për energjinë në rajon.

Kryeministri Berisha në Facebook

“TAP, mundësi reale të nisë brenda vitit”

Seanca e dytë e Konferencës se 49-të për Sigurinë në Mynih pati si temë kryesore “Energjia dhe siguria”. Nga panelistët, zyrtarë të niveleve më të larta për çështje të energjisë nga SHBA, BE, Rusia etj, u diskutua mbi rëndësinë e madhe të nxitjes së prodhimit të energjisë duke shfrytëzuar burimet ujore, erën, diellin si dhe domosdoshmërinë e sigurimit të burimeve të reja energjetike për Europën, ndër të cilat edhe TAP, projekt që për ne është një fat i vërtetë. Sikundër bën me dije përmes statusit në faqen zyrtare në Facebook, kryeministri Berisha shkruan se nga debati, por dhe nga diskutimet me pjesëmarrës, rezulton se Shqipëria, me politiken e shndërrimit në superfuqi të energjisë se rinovueshme në rajon dhe në një qendër të fuqishme të shpërndarjes së gazit të TAP në të ardhmen, do të ketë një rol nevralgjik për energjinë në rajon. “Unë shfrytëzova rastin për të diskutuar për TAP me disa prej zyrtarëve të rëndësishëm të fushës dhe rezulton se është bindja e plotë se TAP është projekti më i leverdishëm dhe ka shanse reale që të fillojë ndërtimi i tij brenda këtij viti!” - shprehet kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›