E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vota të djathta për rotacionin e 2013-s

Po e them që në fillim: kam qenë një ndër themeluesit e partisë së parë demokristiane të Shqipërisë, qysh në vitin 1992. Ajo parti kishte emra të nderuar dhe të spikatur në përbërje, mjaft idealizëm dhe frymë progresive, përparimtare. Dua ta cilësojë këtë fakt sepse tani jetojmë në një realitet të ndryshëm, në një situatë kur kemi disa subjekte brenda llojit dhe një frymë shkurajuese ku pragmatizmi, nevojat e çastit, kanë nxjerrë në plan të dytë idetë, moralin, vetëdijen e filozofisë dhe vlerave që përfaqëson kristian-demokracia e vërtetë. Gjatë përmbysjeve të mëdha që ndodhën pas viteve 90-të dhe që sollën rrëzimin e komunizmit në vendin tonë, parullat dhe sloganet kryesore që hidheshin ishin: “Liri- Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. E pra, sot, secili prej nesh ka të drejtë t’i bëj pyetjen vetes: sa janë arritur këto ideale, sa afër apo sa larg ndodhet Shqipëria me Europën? Sipas statistikave të organizatave prestigjioze ne kemi zbritur jo pak shkallë në renditje në aplikimin e koncepteve të lirisë dhe demokracisë funksionale; jemi një vend që prej shumë vitesh nuk zhvillon zgjedhje të ndershme, të gjithëpranuara, me korrupsion të lartë, me kriminalitet në rritje, me papunësi të thellë, me institucione të brishta, të pakonsoliduara, ku sistemi i drejtësisë është më problematiku, etj. Me këtë nuk dua të them se Shqipëria nuk ka pasur progres në këto 22 vite, por ritmet janë larg pritshmërive dhe shkalla e mosbesimit, e skepticizmit për shkak të politikave amatoreske, jovizionare dhe monopoliste ka një trend agresivisht në rritje. Një vend me kaq shumë pasuri nëntokësore dhe mbitokësore, me sasi të konsiderueshme ujore, me klimë mesdhetare, me resurse të mrekullueshme të paeksploruara turistike, vuan, lëngon dhe vërtitet në vorbull, në një situatë paniku, mbijetese të pashpjegueshme. Fushatat partiake në Shqipëri akoma premtojnë ujë, drita, asfalt dhe nuk janë në funksion të punësimit, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, përmirësimit të shërbimeve në shëndetësi, në arsim, në drejtësi e kështu me rradhë… Demagogjive që flasin për zhvillim të krahasueshëm me vendet kryesore të Europës dhe botës u ka kaluar koha dhe e bëjnë më kritike situatën, humbjen e shpresës, plagën emigratore të rrjedhjes së trurit dhe krahut aktiv të punës. Por për të mos u larguar nga tema, do doja të bëja një rezyme të Kristian-demokratëve si subjekte politike në tërësi dhe të PKD-së në veçanti, të cilën prej dy muajsh e drejtoj. Demokristianët, siç e ceka edhe më lart, janë tepër të zhgënjyer, të përçarë dhe të keqpërdorur në vazhdimësi. Kjo, për meritë të Partisë Demokratike, e cila ka dashur që t’i mbajë “nën sqetull”, t’i ketë “hambar” votash për qëllimet e veta, aq edhe të interesave të ngushta të disa liderve dhe njerëzve pranë tyre, të cilët më sjelljen dhe veprimet sistematike i kanë shpërfillur idetë për bashkim dhe unifikim të ardhur nga baza. Koha më e artë për demokristianët, pas përfitimit të dy mandateve të drejtpërdrejta në zgjedhjet parlamentare të 2005-s, ka qenë bashkimi edhe i një grupi deputetësh të ardhur nga e majta dhe e djathta dhe hyrja në qeverisje me një ministër, i cili ishte z. Nard Ndoka, që mori edhe drejtimin e atij subjekti. Gabimi i parë i z. Ndoka, ishte sjellja e një grupi njerëzish ish-drejtues të Partisë Demokracia Sociale dhe dhënia e posteve kryesore në ekzekutiv. Kjo demotivoi demokristianët, qëndrestarët dhe solli largimin e shumë prej tyre. Cilësimi “galloshe të vjetra” për kontribuuesit, themeluesit, qe jashtëzakonisht fyes, i papranueshëm. Më tej largimi nga qeverisja na solli në situatën e vjedhjes së votave nga PD-ja në 2009-n. Moszbardhja e këtij procesi na rreshtoi automatikisht me opozitën dhe kemi pasur një rol aktiv në gjithë nismat, tubimet që janë kryer. Kjo kulmoi me 21 janarin, që fatkeqësisht solli edhe katër viktima të pafajshme. Në mënyrë të pakuptimtë, z. Ndoka vendosi të futet në koalicion me PD-në, të cilën deri atëherë e kishte anatemuar si përgjegjëse dhe të pamoralshme, duke sjellë mjaft çoroditje tek demokristianët në tërësi. Dikush mund të justifikohet se ne përfaqësonim të djathtën dhe duhet të shkonim në kampin që na përkiste. Përgjigja ime ishte dhe mbetet, se aleanca me PS-në nuk ka të bëj me “kapërcimin e ylberit”, ndryshimin e programit apo imazhit, por me rotacionin e munguar, me garancitë e ruajtjes së votës, me kostot e mëdha që ka prodhuar kjo mazhorancë dhe qeverisje për vendin. Rotacioni i pushteteve është një domosdoshmëri dhe e shëndoshë demokracinë. Kjo lëvizje e Ndokës në sensin e gabuar, bëri që ne, një grup demokristianësh të hershëm të uleshim, të bisedonim, të gjenim pika takimi, të binim dakord për një riformatim të subjektit PKD, i cili me mirëkuptim, në zbatim të statutit dhe në rrugë ligjore kaloi nga Zef Lleshi tek Dhimitër Muslia. Në thelb të këtij ndryshimi qe ideja e përafrimit të gjithë spektrit kristian dhe jo vetëm, e një unifikimi historik që do i bënte ballë revanshit të dy forcave të mëdha politike dhe do rikthente moralin, filozofinë kristiane, parimet e shenjta të dashurisë, respektit për tjetrin, besimin tek individi dhe tek Zoti. Në atë tryezë u bë e qartë, se duam të krijojmë një parti ekipi dhe jo lideri. Kemi nisur punën dhe jemi në rrugë të mbarë. Ambiciet tona janë për dy-tre deputetë në 23 qershor dhe jemi të bindur, optimist, se do jemi forca e dytë pas PS në koalicionin e majtë përsa i përket numrit të votave të fituara. Votat tona që kryesisht vijnë nga e djathta, nuk ia vëmë në dispozicion PS-së por Shqipërisë, momentit historik. Ne do jemi në oponencë me çdo forcë dhe çdo qeverisje që deformon vullnetin e shqiptarëve për zhvillim, progres, integrim, që e shikon pushtetin si monopol dhe jo si obligim ndaj qytetarëve, që pretendon lirinë, respektin në shtetin e së drejtës, dhe instalon diktaturën në vend të demokracisë. Slogani i fushatës tonë do të jetë : “Vota e duhur, mundësi dhe kohë e fituar”; çka do të thotë se, shqiptarët s’duhet të votojnë më me militantizëm, të humbasin kohë të çmueshme, por me mend, me zemër, me përgjegjësi. Përndryshe e keqja, mallkimi nuk do të na ndahen. Fatet tona janë në duart tona dhe ne duhet të përmbushim detyrimet, angazhimet, aspiratat madhore që kemi marrë përsipër, për vete dhe brezat që do të vijnë.

/Dhimitër Musla/Kryetar i PKD-së/


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›